Interi zhgënjen sërish, i fundit në Grupin K

24/11/2016 00:00

Interi ka zhgënjyer sërish në përballjen e dytë ndaj izraelitëve të Hapoel Beer Sheva, ndeshje në të cilën zikaltrit shpresonin të merrnin 3 pikë, për të pasur akoma shpresa për kualifikim, duke mos ruajtur avantazhin e dyfishtë të krijuar në pjesën e parë.

Izraelitët e Hapoel treguan edhe në shtëpinë e tyre se nuk ishte një rastësi fitorja në San Siro, duke përmbysur rezultatin nga 0-2 në pjesën e parë në 3-2 në të dytën,

Icardi në të 12’ dhe Brozovic në të 25’, i rritën mjaft shpresat për një fitore thuajse të sigurt të çdo tifozi zikaltër ndaj rivalit direkt për kualifikim.

Por pjesa e dytë ka qenë tërësisht për t’u harruar nga zikaltrit që pësojnë tre gola, duke humbur kështu çdo shans për kualifikim dhe e mbyll këtë sezon të Europa League në vendin e fundit të Grupit K.

Maranhao në të 58’ ka ngushtuar diferencat dhe 12 minuta më vonë ka ardhur edhe ndëshkimi i dyfishtë për zikaltrit, largohet me të kuqe Handanovic pas një ndërhyrje të gabuar brenda zone dhe penallti për izraelitët që ekzekutohet në mënyrë perfekte nga Nwakaeme.

Ndërsa ndeshja kishte hyrë në minutat shtesë, Ben Sahar i ka dhënë Interit goditjen e nokautit, duke shënuar golin e tretë për izraelitët e të fundit për ndeshjen.

Top Channel