Emergjencat, 18 për qind më shumë buxhet

24/11/2016 00:00

Me gjithë problematikat e hasura gjatë situatës së fundit të përmbytjeve, por edhe rasteve të zjarreve masive që përfshinë vendin gjatë verës, Fondi i Emergjencave Civile për vitin 2017 do të rritet me vetëm 20 milionë lekë.

Në total, fondi parashikohet të jetë 203 mln lekë, ose e thënë ndryshe 18% më shumë sesa për vitin 2016. Megjithatë, gjatë diskutimeve në parim të buxhetit të Ministrisë së Brendshme, në Komisionin e Sigurisë Kombëtare u la e hapur mundësia për të rishikuar rritjen e fondeve për këtë zë.

Nga ana tjetër, në mbledhjen e fundit, qeveria ka vendosur t’iu shtojë Emergjencave Civile 14 milionë lekë për mbulimin e shërbimeve për fikjen e zjarreve në pyje gjatë muajve gusht-shtator 2016. Për të ndihmuar shërbimet zjarrfikëse ka menduar edhe qeveria austriake dhe ajo sllovene.

“Shteti austriak dhe shteti slloven iu përgjigjen kësaj thirrjeje, duke dërguar dhe disa pajisje, që janë rreth 15 pompa për thithjen e ujit dhe 15 motosharra. Ato do t’u shpërndahen të gjitha njësive vendore dhe do jenë në shërbim për pastrimin e ujërave nga godinat, të aluvioneve që kanë dëmtuar rrugët e kanalet”, tha Stefan Çipa, zv.ministër i Brendshëm.

Pajisjet u dhuruan pas kërkesës për ndihmë, që Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile i bëri Qendrës Europiane të Koordinimit të Përgjigjes për Emergjenca.

Top Channel