Edukatorja dhunon 3-vjeçarin, shkarkohet 5 ditë pas denoncimit në “Fiks Fare”

24/11/2016 00:00

Në emisionin “Fiks Fare” u denoncua dhuna e ushtruar nga edukatorja Anila Samarxhi, ndaj një fëmije 3 vjeçar në kopshtin numër 1 të qytetit të Elbasanit. Ngjarja e rendë ka ndodhur në datë 14 nëntor, por edukatorja ka marrë vetëm një paralajmërim për pushim nga puna dhe vijonte mësimin normalisht.

Për të qetësuar situatën drejtoresha i kishte ndërruar vetëm grupin në të cilin do të jepte mësim. Edukatorja Anila Samarxhi, fillimisht u largua nga grupi që kishte në kujdestari sapo u informua që kishte ardhur Fiksi. Më pas u rikthye dhe para kameras pranoi se e kishte shpuar fëmijën pasi ai e kishte gjuajtur me çantë.

Pranë emisionit “Fiks Fare” erdhi një ankesë nga prindi i një tre vjeçari i cili frekuentonte kopshtin nr. 1, në qytetin e Elbasanit. Sipas prindit me datë 14 nëntor, kishte vënë re një shenjë në kofshën e djalit 3 vjeçar. Ishte i gjakosur dhe sipas nënës dukej të ishte shpuar nga dikush më gjilpërë. E alarmuar i kërkon llogari kujdestares së fëmijës së saj, e cila e pohon dhunën e ushtruar ndaj djalit 3-vjeçar.

Madje në mesazhin që i ka nisur nënës së 3 vjeçarit ajo shprehet: Si jeni ju. Më pyetët pse quka djalin me gjilpërë, po ai më rrafi tre kalamaj me çantë kokës dhe mua më solli, kur i fola të mos rrihte fëmijët. Për ta trembur e quka pak me gjilpërë dhe e hodha jashtë.

Nëna e shokuar nga mesazhi, të nesërmen vendos të ankohet në drejtorinë e kopshtit. Sipas drejtoreshës së kopshtit, Komisioni i Disiplinës, i cili ishte mbledhur menjëherë kishte marrë vetëm masën e paralajmërimit për pushim nga puna. Pas kësaj mase ishte njoftuar edhe drejtoria e Koordinimit të Kopshteve pranë bashkisë. Bashkia Elbasan ka nisur një inspektim lidhur me këtë ngjarje.
 
Para kameras së Fiksit drejtoresha deklaroi “E gjendur fillimisht si nënë para kësaj situate u trondita, por si drejtuese e institucionit duhet të ngrija një Komision Disipline që të shqyrtohej ankesa. Komisioni i Disiplinës u mblodh 24 orë pas ankesës dhe mori si masë vërejtje më paralajmërim për pushim nga puna. Kjo është masa më e madhe që ne mund të japim. Përpos kësaj ne kemi njoftuar edhe bashkinë. Drejtorinë përkatëse të cilët kanë bërë një inspektim për këtë çështje.”
 
Pavarësisht se është pranuar dhuna nga ana e edukatores që në ballafaqimin e parë me prindin, edukatorja nuk u pezullua, por vazhdonte të kujdesej për një tjetër grup fëmijësh. Sipas drejtoreshës për të qetësuar gjendjen dhe prindin ajo është hequr nga grupi që mësonte dhe i është caktuar një tjetër.

Gazetarët e Fiksit kërkuan ta intervistonin edukatoren, por Anila Samarxhiu sapo ishte informuar për kameran e Fiksit ishte larguar nga grupi që kishte nën përkujdesje dhe kishte lënë vetëm njërën nga edukatoret.

Pas këmbënguljes së drejtoreshës dhe gazetarëve ajo lajmërohet në telefon dhe rikthehet në kopsht. Në fillim ajo refuzoi të përgjigjej për ngjarjen duke nxjerrë përpara dorën deri në momentin që shpërthen dhe tregon arsyen. “Më gjuajti me çantë” – tha ajo. “Fëmijët e tjerë nuk më qëllojnë, ai po”.

Ndërsa vet drejtoresha e kopshit, pasi dëgjoi këtë konfirmim tha për kameran e fiksit se kjo edukatore nuk mund të qëndroj më në këtë kopsht. Megjithatë sipas saj është bashkia Elbasan që duhet të marri masën e pezullimit.

Pavarësisht se ngjarja ka ndodhur më datë 14 nëntor dhe denoncuar me datë 15, u deshën plot 5 ditë që të pezullojë një edukatore që kishte ushtruar dhunë ekstreme ndaj një fëmije vetëm tre vjeç. Bashkia Elbasan reagoi në të njëjtën ditë që u interesua për rastin emisioni “Fiks Fare”.

Me anë të zëdhënësit të kësaj bashkie deklaroi se “Bashkia e Elbasanit është njohur me një rast të pretenduar dhune në kopshtin Nr.1 nga një ankesë, drejtuar Drejtorisë së këtij kopshti, nga prindi Marjeta Bici në datë 15.11.2016. Theksojmë se kësaj ankese nuk i është bashkëngjitur asnjë fakt, e megjithatë Bashkia Elbasan dërgoi specialistët e saj pranë kopshtit nr.1 të cilët, së bashku me drejtorinë e kopshtit thirrën komisionin disiplinor, ku ndaj edukatores Anila Samarxhi, u mor masa “paralajmërim për pushim nga puna”.

Me këtë masë ka rënë dakord edhe prindi, e cila ka qenë prezente dhe e ka firmosur atë.

Në datë 21.11.2016, e protokolluar po në këtë datë, pra pas 5 ditësh për të cilat nuk kemi asnjë reagim të prindit, në Bashkinë e Elbasanit vjen një tjetër ankesë nga prindi, drejtuar Kryetarit të Bashkisë edhe në këtë kërkesë prindi nuk ka paraqitur fakte, por nisur nga shqetësimi i tij Kryetari i Bashkisë mori masën e “pezullimit nga detyra”, deri në shqyrtimin përfundimtar të ankesës së paraqitur ndaj edukatores Anila Samarxhi.

Gjithashtu me urdhër të Kryetarit të Bashkisë është marrë masë disiplinore “paralajmërim për pushim nga puna” për drejtoreshën e kopshtit nr.1 dhe edukatoren tjetër e cila pretendohet se ka dijeni për ngjarjen.

Top Channel