Flamurtari shpëton nga zbritja, tjetër afat nga Disiplina

24/11/2016 00:00

Në mbledhjen e fundit të mbajtur, Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka shpëtuar të paktën përkohësisht Flamurtarin nga rënia në një kategori inferiore.

Ekipi vlonjat ka gjetur akordin me futbollistët të cilëve u detyrohet një shumë të madhe parash dhe si rrjedhojë lojtarët kërkuan të mos zbatohet përshkallëzimi i dënimit.

Vlonjatët që vuajtën heqjen e 6 pikëve nga rënditja, rrezikonin të zbrisnin në Kategorinë e Parë, por tani Disiplina i ka lënë një tjetër afat prej 12 ditësh për shlyerjen e borxheve ndaj Polizoi Arbri, Artan Sakaj dhe Franc Veliu.

 Flamurtari është paralajmëruar se me kalimin e afatit përfundimtar, do të merren masat përkatëse në bazë të Kodit të Disiplinës Sportive. Kështu Disiplina vendosi pushimin e çështjes së lojtarëve Artan Sakaj, Franc Veliu, Polizioi Arbri. Këta të fundit kanë të drejtën të ngrenë sërish padi në rast se detyrimet nuk do të paguhen.

Flamurtari ndodhet në kuotën e 6 pikëve në vendin e parafundit në kategorinë Superiore. Sfida e radhës e bregdetarëve do të luhet në Vlorë ndaj Vllaznisë të premten në orën 18:00.

Top Channel