S’ka raport për 2017! Burimet: Asgjë e re në deklaratën e Krichbaum

24/11/2016 00:00

Pas deklaratës së Krichbaum, Top Channel kontaktoi me burime qeveritare pranë Kryeministrit dhe pranë Ministrisë së Integrimit.

Asnjë prej burimeve nuk pranoi të citohej zyrtarisht, sidomos në kohën kur kryetari i Kuvendit, Ilir Meta gjendet pikërisht në Gjermani me kreun e Bundestagut, ndërsa ministri i Jashtëm Bushati sapo është kthyer nga Berlini në takim me homologun Steinmeier.

Kryeministri Edi Rama të hënën do të takohet në kryeqytetin gjerman me Kancelaren Merkel, takim i cili merr një vlerë tjetër pas bombës që deputeti i linjës populiste të partisë së saj deklaroi në Tiranë.

Por burime nga Ministria e Integrimit i thanë Top Channel se në deklaratën e Kirshbaum nuk ka asgjë të re dhe pavarësisht radhitjes nga pesë, në shtatë pritshmëri, gjithçka ai tha është në progres raportin e vitit 2016.

Sa i përket vitit 2017, sipas të njëjtit burim, vendet e BE për shkak të zgjedhjeve në Gjermani, Francë, Holandë e ndoshta edhe Greqi e vende të tjera, kanë vendosur të mos hartojnë progres raporte për asnjë nga vendet aspirante, përfshirë edhe Shqipërinë.

Ndaj progres raporti i radhës, ashtu siç tha edhe Krichbaum është në vitin 2018. Mbetet e hëna dhe takimi Merkel-Rama, për të parë nëse Bundestagu gjerman do t’i bindet deputetit Krihbaum apo kancelares dhe kryetares së mazhorancës gjermane.

Top Channel