Shtatë kushtet e Krichbaum, shtohen edhe kushtet e Bashës?

24/11/2016 00:00

Nga 7 pikat e paraqitura nga përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të CDU/CSU-së, 5 prej tyre janë edhe prioritetet e Komisionit Europian për Shqipërinë; reforma administrative, ajo në drejtësi, lufta ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe të drejtat e njeriut.

Ndërkohë, reforma zgjedhore dhe dekriminalizimi janë pjesë e raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, në kriterin politik, por në letrën e Kirschbaum shfaqen të radhitura si prioritete më vete së bashku me pesë të tjerat.

Por së paku në një pikë, letra e Kirshbaum bie ndesh edhe me raport-progresin e Komisionit Europian, i cili në aneksin për funksionimin e Parlamentit, vlerëson së bashku me tejkalimin e polarizimit në miratimin e ligjit të reformës në drejtësi dhe atë për përjashtimin e funksionarëve publikë të dënuar, që njihet ndryshe si dekriminalizimi.

Krichbaum ka deklaruar se, “për hapjen e negociatave duhet të plotesohen kushtet” dhe ka shprehur bindjen se, “kjo nuk mund të realizohet në vitin 2017”.

“Do kërkojmë të mos hapen negociatat, më parë duhen rezultate konkrete”, ka thënë Krichbaum, i cili ka saktësuar se, “në vitin 2018 mund të ketë një dritë jeshile”.

Deputeti gjerman ka theksuar se, “rezultatet e reformave dhe përpjekjeve të qeverisë duhet të jenë më të prekshme” dhe për këtë u ka bërë thirrje palëve politike shqiptare që “të bashkojnë forcat”.

Sipas dokumentit të prezantuar nga zyrtari gjerman, kriteret që duhen përmbushur janë këto:

Kriteri i parë ka të bëjë me reformën në administratën publike, e cila duhet të provohet në praktikë për të treguar se sa i qëndrueshëm është zbatimi i ligjeve të miratuara.

Kriteri i dytë ka të bëjë me reformën në drejtësi, e cila, sikurse thotë dokumenti, duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të plotë me qëllim forcimin tërësor të nivelit të profesionalizmit dhe integritetit në fushën e drejtësisë.

Kriteri i tretë thotë se në luftën ndaj korrupsionit nëpërmjet Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, e cila duhet të jetë e pavarur nga kontrolli dhe ndikimi i politikës, duhet të jenë shënuar arritje të konsiderueshme.

Kriteri i katërt për luftën kundër krimit të organizuar është që të rritet ndjeshëm numri i dënimeve me vendime të formës së prerë, të forcohen dukshëm përpjekjet për luftën ndaj krimit të drogës dhe të shënohen suksese të prekshme.

Kriteri i pestë ka të bëjë me atë që konsiderohet “prioriteti kyç” në fushën e të drejtave të njeriut, masave kundër diskriminimit dhe realizimit të së drejtës së pronës, për të cilin vlerësohet se Shqipëria duhet ende të përmbushë ato pika që përmend raporti i Komisionit Europian i datës 9 nëntor 2016.

Kriteri i gjashtë është që rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në lidhje me reformën zgjedhore të zbatohen deri në zgjedhjet e qershorit 2017, të cilat duhet të përmbushin standardet europiane.

Kriteri i shtatë ka të bëjë me ligjin për Dekriminalizimin e Parlamentit dhe institucioneve qendrore e vendore, i cili, siç thotë dokumenti, duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme e të plotë.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel