Pietro Parisi, kuzhinieri italian me karrierë të pasur në kuzhinën ndërkombëtare, ka një kurë për t’u dobësuar duke ngrënë. Sot, ai peshon 70 kg dhe është e vështirë të besosh se dikur peshonte 200.

Ai ka ‘rrëzuar’ 130 kg, duke u ushqyer. E quan veten kuzhinieri nga fshati, pasi kuzhina e tij dhe gjithçka ai gatuan, i ka rrënjët tek produktet e vendit të lindjes, Napolit.

“Dobësohesh edhe duke ngrënë, nëse ha produkte origjinale, pra prodhime vendi. Kjo ishte kuzhina që më dobësoi. Jetën time e kam parë në dy këndvështrime: nga njëra ane si një njeri që peshonte 200 kg, një obez që në moshën 27-vjeçare. Pasi mbusha 28 vjeç nisa një jetë të re, të cilën po vazhdoj ta jetoj. Pra nga obez, tani ndihem një djalë në formë”, shprehet kuzhinieri Pietro Parisi.

I lindur ne jug të Italisë, pasioni për ushqimin lindi bashkë me Pietron, deri kur në moshën 14-vjeçare vendosi të vishte përparësen e bardhë për të bërë të lumtur të tjerë njerëz që shijojnë ushqimin e gatuar prej tij.

“Duhet të hani, por duhet ngrënë ushqim, i cili ka pak kilometra mbi supe. Trupi ynë është si makina që furnziohet me karburant. Nëse një makine i hedhim karburant të keq, motori i saj do të bllokohet. Ndodh e njëjta gjë me ushqimin. Duhet të hamë pak ushqim, por me cilësi”, thotë Parisi.

Pietro vizitoi për herë të parë Tiranën në “Javën italiane” të kuzhinës në Shqipëri, gjatë së cilës dha këshillat e tij për një ushqim të shëndetshëm.

Top Channel