Pagat për mjekët, Beqaj: Do rriten deri në 100 mijë lekë

24/11/2016 00:00

Një mjek që ofron shërbim shëndetësore në spitalet universitare do të paguhet me pagë mbi një milion lekë, ndërsa ai në spitalet rajonale do të paguhet 93 400 lekë. Paga e mjekëve pëson rritjen bazë për të gjithë 10 %, por ndërkohë është dyfishuar edhe pagesa për shërbimin roje.

“Do të aplikohet edhe dyfishimi i shpërblimit për shërbimin e rojës që bëjnë mjekët në spitale sot. Kjo gjë do të sjellë rritjen 10% të pagës së mjekut dhe dyfishimin e shpërblimit. Ne na rezulton se mjekët bëjnë rreth 6 roje në muaj, nga të cilat qëllon edhe ditë pushimi apo festash. Mjekët nga rojet kanë një përfitim rreth 17 mijë lekë të reja, ky do të shkojë në 34 mijë lekë”, tha ministri Beqaj.

Një mjek reanimator dhe ai që punon në shërbimet e urgjencave do të ketë një pagë mujore 108 250 lekë pasi përveç rritje së përgjithshme ka dhe një shtesë specifike me 25 %.

“Kemi edhe dy grupe të tjera profesionistësh, që do të marrin edhe një shtesë tjetër 25%, të gjithë ata mjekë, infermierë që punojnë në çdo reanimacion dhe në çdo ndihmë të urgjencës spitalore. Për ata mjekë që kanë pranuar të shkojnë nga Tirana nëpër spitale si specialistë, apo do të pranojnë, praktikisht do të kenë një shpërblim 2 milionë lekë të vjetra”, saktëson ministri.

Vetëm rritja e pagave të mjekëve, ku përfitojnë 4 650 mjekë dhe 13 765 infermierë përllogaritet në 1.3 miliardë lekë. Ndërkohë që kjo rritje pagash pritet të rregullojë marrëdhënien mjek-pacient në lidhje me ryshfetin.

Top Channel