Anulimi i gjobave të AMA-s, arsyetimet qesharake

24/11/2016 00:00

Gjobat e vendosura nga Autoriteti i Mediave Audiovizive anulohen nga Gjykata Administrative duke mos u marrë në asnjë rast me thelbin e çështjes dhe duke toleruar në Shqipëri një gjendje të paligjshme të piraterisë televizive.

Në disa raste, gjobat janë anuluar nga gjykata vetëm pse shkelësi ka refuzuar të nënshkruajë, gjë e cila në asnjë rast nuk zbeh ligjshmërinë e kontrolleve të AMA-s. Ose, edhe pse mungon ora në procesverbal, apo adresa e subjektit.

Në disa raste, disa subjekte të gjobitura nga AMA kanë ngritur pretendime se procesverbali i konstatimit të programeve në transmetim nuk është bërë në ambientet ku subjektet kanë të instaluara pajisjet audiovizive.

Dëshmi jo vetëm pa prova, por qesharake, pasi në procesverbal kanë nënshkruar se kanë qenë prezent kur inspektorët e AMA-s kanë konstatuar shkelje flagrante.

Nga shqyrtimi i procesverbaleve të mbajtura gjatë inspektimit vërtetohet se subjektet kanë qenë prezent pikërisht në këto ambjente. Ato kanë nënshkruar procesverbalin e prezencës, çka vërteton se subjektet jo vetëm kanë qenë të pranishëm, por edhe inspektimi është bërë në prani të tyre.

Ndërsa në disa raste të tjera, Gjykata Administrative ia ka shfuqizuar gjobat AMA-s me argumentin se, mungon regjistrimi në format CD apo DVD, kërkesë kjo që nuk gjen asnjë bazë ligjore.

Ligji organik i AMA-s përcakton shprehimisht të gjitha kompetencat e Autoritetit për të vendosur sanksione me gjobë në rastin e mosrespektimit të të drejtave të transmetimit të programeve, si dhe masën e sanksionit, por mesa duket ky ligj refuzohet të respektohet nga gjykatat shqiptare.

Gjykatat kanë anuluar gjoba të AMA-s, pavarësisht se janë njohur me shkeljet e rënda të disa operatorëve privatë dhe pavarësisht se këto subjekte nuk kanë depozituar në gjykatë asnjë kontratë për transmetimin e atyre programeve që kanë vjedhur.

Top Channel