Rreh gruan dhe kunatën. Të dhunuarat, frikë nga varfëria: Do tërheqim denoncimin

24/11/2016 00:00

Genci Kola, i arrestuar mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Gorre të Lushnjes  ka dhunuar bashkëshorten dhe motrën e saj.

Blerina kishte shkuar për vizitë tek e motra dhe teksa ndërhyn për të  mbrojtur atë nga dhuna e të   shoqit, ajo  ka rënë edhe vetë pre e tërbimit  të tij.

Blerina gjen guximin të tregojë për lëndimet që ka marrë.

“Ishte te dera e shtëpisë dhe po e tërhiqte prej flokësh dhe i thoshte dil nga shtëpia ime, mos të shoh më këtu. Më pas më qëlloi dhe mua. Më pas u rrëzova dhe nuk kam ndjerë më gjë. Më goditi me grusht”, tregon Blerina Stavre.

Liria ka kërkuar ta tërheqë denoncimin ndaj bashkëshortit të saj pasi kushtet ekonomike do të vështirësohen  më shumë nëse 31 vjeçari do të qëndrojë në burg. Ajo rrëfen se i vjen keq për motrën dhe do ta bëjë, ndërsa bashkëshorti i Blerinës kërkon drejtësi.

“Ajo erdhi sot në mëngjes dhe kërkoi të tërheq denoncimin. Për hatër të motrës dhe të fëmijëve të saj unë kërkoj ta tërheq denoncimin, këtë herë do ta fal. Po vazhdoi, po ndodhi ndonjë gjë në vazhdim, ai do të shkojë më keq akoma”, thotë Blerina.

“Drejtësia të vendos. Me këtë që ai ka bërë unë them të dënohet”, shprehet Viron Stavre.

Në familjen e dhunuesit të gruas nuk pranojnë të flasin.

Të martuara në Gorre, dy gratë nga Kukësi jetojnë prej vitesh në kushte të vështira dhe si shumë të tjera për shkak të rrezikut të një rroge më pak në shtëpi, ato janë tërhequr. Por pavarësisht kërkesës se dy grave, ligji vepron ndaj dhunuesit edhe nëse ato heqin dorë nga denoncimi.

Top Channel