Rikthehet Europa League, Man. Utd pret Feyenoord-in, Interit i duhet mrekulli

24/11/2016 00:00

Luhen sot ndeshjet e raundit të parafundit të fazës së grupeve të Europa League. Deri tani e kanë siguruar kualifikimin për në 1/16 e finaleve të këtij aktiviteti, Ajax, Shalke, Shakhtar dhe Zenit, tashmë pritet të zgjidhen edhe enigmat e tjera.

Në Grupin A janë 3 skuadra në garë për kualifikim Manchester United, Feynoord dhe Fenerbahce. Skuadrën e “Djajve të kuq” e pret një sfidë e vështirë me holandezët në “Old Trafford”, ndërkohë që Fenerbahce do të presë në fushën e tij skuadrën e Zoryas.

Roma është shumë pranë kalimit në 1/16 e finaleve. Verdhekuqtë kryesojnë me 8 grupin e tyre të ndjekur nga Austria e Vjenës, Astra dhe Viktoria Plzen.

Interi është skuadra më në telashe në këtë fazë grupesh të Europa League. Zikaltrit duhet të fitojnë me çdo kusht ndaj Hapoel Beer Sheva në Izrael, por vëmendjen do ta kenë edhe tek sfida mes Sauthampton e Spartës së Pragës. Fitorja dhe barazimi kualifikon Sparta-n, ndërkohë që britanikët kalojnë nëse Hapoeli nuk e mund Interin.

Fiorentina kualifikohet edhe me 1 barazim në përballjen me Paoku-n, ndërkohë që në Grupin F, është ekuilibri më i madh pasi të 4 skuadrat janë në garë për të kaluar më tej. Bilbao dhe Genk kanë 6 pikë, ndërkohë që 1 më pak kanë Sassuolo dhe Rapid Wien.

Top Channel