Mbetjet, Duka: Mbështetje protestave, jo miratimit të ligjit

24/11/2016 00:00

Kryetari i Partisë Agrare Ambjentaliste, Agron Duka ka shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tij për protestat e shoqërisë civile kundër importit të plehrave dhe i ka bërë thirrje mazhorancës të mos e miratojë ligjin.

“Partia Agrare Ambjentaliste vlerëson se ky ligj është i nxituar, sepse Shqipëria nuk është gati të presë mbetje nga jashtë vendit, kur gjendja këtu është tejet e rëndë”, ka thënë Duka.

Ai është shprehur se, “të gjithë jemi dëshmitarë të një katastrofe mjedisore nga veriu në jug, prandaj së pari duhet të merremi me plehrat tona që dergjen lumenjve, fushave e rrugëve të vendit dhe jo të sjellim plehra të tjera nga jashtë”.

Duka ka nënvizuar se, PAA nuk është kundër industrisë së riciklimit, por është kundër importit të plehrave nga jashtë.

“Vota jonë në Kuvend ka për të qenë kundër këtij projektligji, edhe pse mazhoranca mund ta kalojë me forcën e kartonave. Si kryetar i PAA-së do të bëj çdo përpjekje për ndikuar te kolegët e mi në Kuvend që të votojnë kundër, duke vlerësuar më shumë interesin publik sesa lidhjet e ngushta klienteliste nga brenda apo jashtë vendit, që mezi po presin t’i hapet rrugë importit të plehrave”, ka thënë Duka.

Top Channel