Gara e fundit e Jenson Button në Formulën 1

24/11/2016 00:00

Jenson Button konfirmon largimin nga Botërori i Formulës 1 pas Çmimit të Madh të Abu Dabit, që do të zhvillohet këtë fundjavë. Piloti i McLaren-it e bëri të ditur këtë lajm gjatë konferencës së zakonshme për shtyp që mbahet përpara çdo gare.

Së fundmi u fol për mundësinë që Button të qëndronte pushim gjatë vitit 2017 për t’u kthyer te McLaren në vitin 2018, por 36-vjeçari e hodhi poshtë këtë opsion.

“Këtë fundjavë do të jem në pistën e Abu Dabit me mendimin se ky Çmim i Madh do të jetë gara ime e fundit në Formulën 1. Nuk dua të garoj në Formulën 1 pas vitit 2016”, tha Button.

Jenson Button e bëri debutimin e tij në Formulën 1 në vitin 2000, kur ishte vetëm 20 vjeç. Ajo në Yas Marina do të jetë gara e tij e 305 në karrierë, vetëm Michael Schumacher dhe Rubens Barrichello kanë bërë më mirë sesa britaniku. Në karrierën e tij si pilot i Formulës 1, Button ka fituar 15 gara me skuadrat Williams, Benetton, BAR Honda, Brawn dhe McLaren.

Në vitin 2009 ai arriti të shpallet kampion i botës pikërisht me Brawn GP. Vendin e tij te McLaren do ta marrë belgu Vandoorne, ndërkohë që Button vitin tjetër do të jetë në rolin e ambasadorit të skuadrës nga Woking.

Top Channel