Veliaj inspekton punimet në rrugën “Don Bosko”

24/11/2016 00:00

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet e bëra në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, që tanimë është kthyer në model për standartet dhe cilësinë.

“Më në fund kemi një rrugë me trotuare të bollshme, është e para rrugë në Tiranë ku janë zhdukur totalisht telat e varur, pra kemi çliruar rrugën e parë. Mbi 230 shtylla janë eliminuar, janë vendosur nën tokë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se e njëjta logjikë pune do të ndiqet edhe në rrugët e tjera të kryeqytetit, ku ftoi kompanitë e shërbimeve të internetit të bashkëpunojnë me bashkinë për eliminin e shtyllave.

“Apeli që u bëjmë kompanive të cilat ofrojnë shërbim interneti apo shërbime kabllore është që në rrugët e reja ku po investon bashkia, të bashkëpunojnë për të eliminuar të gjitha shtyllat, pengesat e mobilerinë urbane, e cila shkakton shumë stres në qytet, që të sjellim në këtë standard të gjitha rrugët e qytetit. Shpresoj që standardin që kemi ngritur këtu, në njësinë 9, ta transferojmë edhe në rrugët e tjera. Do të kujdesemi gjithnjë e më shumë që të respektojmë të njëjtën hapësirë si për këmbësorët, ashtu edhe për makinat”, tha Veliaj.

Një tjetër risi e kësaj rruge është edhe sistemi i ri i ndarjes së mbeturinave që në burim, për të cilën Veliaj kërkoi bashkëpunimin e banorëve.

“Të gjithë qytetarët këtu do të kenë dy kosha: një kosh do të jetë blu, për mbeturinat organike, ndërsa për të riciklueshmet do të jetë një kosh i gjelbër. Ndaj, u bëj thirrje qytetarëve, e kemi filluar nga fëmijët, por na duhen edhe të rriturit të bashkëpunojnë, që të mbajmë një qytet të pastër dhe të respektojmë ndarjen e mbeturinave në burim”, deklaroi Veliaj.

Top Channel