Schulz, rivali i Merkelit

24/11/2016 00:00

Martin Schulz nuk do të kërkojë një mandat të tretë në krye të Parlamentit Europian. Në vend të kësaj, ai do të kthehet në Gjermani ku lakohet si kandidat i mundshëm social-demokrat për kreun e ekzekutivit.

Lëvizja nga Brukseli në Berlin nuk erdhi fare e papritur, pasi disa media vendase kanë spekulluar se ai mund të pretendojë karriken e kancelarit. Në konferencën për shtyp ku njoftoi vendimin e tij për t’u larguar nga posti i Presidentit të PE-së, Schulz nuk sqaroi megjithatë nëse do të kërkojë vendin e Merkelit apo do të kënaqet me portofolin e ministrit të Jashtëm.

“Ka pasur shumë spekullime në shtyp përgjatë këtij muaji mbi të ardhmen time. Tani e kam marrë një vendim. Nuk do të kërkoj një mandat të tretë për presidencën e Parlamentit Europian. Vitin e ardhshëm do të garoj për Bundestagun gjerman si kryetar i listës së partisë sime SPD në Rajonin verior Vestfali. Nuk ishte një vendim i lehtë për t’u marrë sepse është nder të jesh president i PE-së, ndaj jam shumë mirënjohes për mundësine që m’u dha”, deklaroi Schulz.
 
Gjatë pesë viteve të tij në këtë post, Schulz thotë se arriti shumë në përpjekjet e tij për të rritur vizionin dhe besueshmërinë e politikës europiane. Kreu në largim i PE-së sqaroi se lidhjet e tij me projektin europian do të mbeten të ngushta, edhe pse atë do të mund ta ndjekë vetëm nga Berlini. Në këndvështrimin tim, u shpreh Schulz, integrimi europian është projekti më i madh i civilizimit në shekujt e fundit.

Top Channel