NBA, Golden State nuk ndalet më

24/11/2016 00:00

Golden State vazhdon fluturimin në këtë sezon të NBA. Skuadra e Warriors regjistroi fitoren e 9 radhazi teksa shkatërroi totalisht Los Angeles Lakers në derbin kalifornian me rezultatin 149-106.

Stephen Curry shënoi 31 pikë në këtë përballje, 21 nga të cilat nga distanca e 3 pikëve, ndërkohë që Kevin Durant e mbylli takimin me 28 pikë. Por jo vetëm kaq, Golden State theu edhe një rekord historik të saj, teksa regjistroi në total 47 asist. Megjithatë, ajo që kryeson Konferencën e Perendimit është skuadra tjetër kaliforniane, LA Clippers që iu imponua Dallas Mavericks 124-104.

Në Lindje, kampionët e Cleveland Cavaliers mposhtën Portland Trail Blazers në “Quicken Loans Arena” me rezultatin 137-125, në një ndeshje vërtet emocionuese. Kevin Love ishte ai që mori përsipër të drejtojë skuadrën nga Ohajo drejt fitores me 40 pikë, 34 nga të cilat i shënoi vetëm në periodën e parë, një rekord për këtë lojtar. Nuk mbeti pas LeBron James, i cili e mbylli takimin me 31 pikë, 10 topa në tabelë dhe 13 asist.

Në ndeshjet e tjera të NBA, New Orleans Pelicans mposhti Minnesota Timberwolves 117-96, ndërsa Oklahoma City Thunder zhytet akoma më shumë në krizë. Kjo skuadër humbi ndaj Sacramento Kings 116-101, duke regjistruar disfatën e 7 në 9 ndeshjet e fundit të saj.

Top Channel