Mbetjet, Blushi: Po helmoni qytetarët. Plehrat e Europës, gati të vërshojnë

24/11/2016 00:00

Deputeti Ben Blushi, duke marrë fjalën në seancë plenare, ka deklaruar se dekreti i presidentit për ligjin e mbetjeve duhet të ishte sot në Parlament e jo të hiqej nga rendi i ditës.

Duke iu drejtuar deputetëve të mazhorancës, Blushi u ka bërë thirrje ta sjellin ligjin për ta votuar, por ka shprehur bindjen se nuk i kanë votat që duhen.

“Silleni ligjin ta votoni, por unë besoj se s’keni votat. Përveç votave të keqbërësve, se vota keqbërësish keni me shumicë në këtë Parlament. Por besoj se nuk do ta bëni nga frika”, ka deklaruar Blushi duke iu referuar protestuesve të shoqërisë civile përpara Parlamentit.

Blushi ka ritheksuar qëndrimin e tij lidhur me ligjin e mbetjeve, duke nënvizuar se Shqipëria nuk ka kapacitete për të ricikluar mbetjet e vendeve të Europës.

“Janë përgatitur gjithë kazanët e jugut të Italisë dhe veriut të Greqisë, për t’u derdhur në Shqipëri. Shqipëria nuk ka kapacitete për të pastruar këto mbetje, madje, ajo ka më shumë se ç’duhet mbetjet e saj. Nuk ka asnjë vend nga Kroacia në Greqi, që jetojnë me turizëm, që të pranojë mbetjet”, ka thënë Blushi.

Ai ka theksuar se ardhja e mbeturinave në vend do të rrisë sëmundjet që vijnë si pasojë e ndotjes. “Shqipëria po kap vendin e parë në Europë për rritjen alarmante të sëmundjeve kancerogjene. Po ulet mosha e të prekurve nga kanceri, po shkon nën 20 vjeç. Kjo vjen nga ndotjet në atmosferë, nga uji i kontaminuar dhe ju mendoni se ky ligj vlen më shumë se mijëra jetët e pacientëve në Shqipëri? Të marrim edhe mbetjet e Europës për të sëmurur edhe atë që kanë mbetur”, ka vijuar Blushi.

Një tjetër denoncim i ish-deputetit socialist ka qenë plani, sipas tij, i parashikuar në buxhetin e vitit 2017 për të dhënë me konçesion laboratorin për kontrollin e mbetjeve.

“Po përgatitet të jepet me konçesion laboratori, aty ku bëhen analizat e mbetjeve, me një faturë prej 8 milionë euro në vit, të planifikuara në buxhetin 2017. A mund të jepet një laborator publik me konçesion, për çfarë do të jepet? 7.2 miliardë lekë është fatura e konçesioneve, për 5 ose 10 konçesionarë”, ka shtuar Blushi.

Spaho: Meta-Idrizi, jo pakt me Ramën

Më herët ka qenë deputeti demokrat Edmond Spaho që kërkoi që të bëhet sa më shpejt shqyrtimi i dekretit të Presidentit për kthimin e ligjit të importit të mbetjeve në Kuvend. Ai i bëri thirrje kreut të LSI-së, Ilir Meta dhe atij të PDIU-së, Shpëtim Idrizi që të mos negociojnë me Edi Ramën.

“I bëj thirrje kryetarit të Kuvendit dhe njëkohësisht i LSI-së, Ilir Meta dhe të PDIU-së Shpëtim Idrizi të mos negociojnë me Edi Ramën për të gjetur rrugë për ta kaluar në kohë të tjera. Ti qëndrojnë premtimit që kanë dhënë që pa konsensusin e shoqërisë civile nuk do të ketë miratim. Ka vetëm një konsesus, që ky ligj të rrëzohet dhe t’i japim fund këtij projekti kaq të ndryë e të rrezikshëm, jo vetë për njerëzit tonë po për gjenerata të tëra”, tha Spaho.

Top Channel