Dhuna ndaj grave, Klosi prezanton strategjinë kombëtare

24/11/2016 00:00

Si çdo vajzë tjetër, ajo ëndërronte për princin e kaltër. Dëshironte një familje, një burrë, një bashkëshort, një baba, një shok. Por jo, fati i keq deshi që ajo të njihej me dhunuesin e saj. Ajo u dashurua siç dashuron çdo grua, por as kjo nuk mjaftoi për të dalë nga 4 “muret” e dhunës.

“Që ditën e dytë pas martesës filluan problemet. Ai vinte në shtëpi në 2 të natës, i dehur dhe me ulërima. Kjo sjellje ishte e zakonshme çdo ditë, nuk kisha as kujt t’ia thosha se nuk do të më besonin. U mundova shumë ta ndryshoja, por ishte e pamundur”, rrëfeu gruaja e dhunuar.

Por ajo ia doli. Zgjodhi të jetojë pa dhunë! Ajo denoncoi burrin dhunues, atë që i vrau fëmijën duke i dhënë vetes mundësinë për të jetuar një jetë të dytë.

“Ka jashtëzakonisht shumë për të bërë në përmirësimin e ligjit, përmirësimin e aksesit të viktimave drejt shërbimeve të specializuara, fuqizimit të masave në parandalimin e dhunës, rritjen e ndërgjegjësimit dhe përfshirjen sociale”, deklaroi Iris Luarasi, drejtuese e Linjës për Këshillimin e Grave dhe Vajzave.

Në çeljen e fushatës kundër dhunës ndaj grave, që përkon edhe me Ditën ndërkombëtare të këtij fenomeni, u nënshkrua edhe marrëveshja për Linjën e Këshillimit, një pikë kontakti ku viktimat do të adresojnë rastet e dhunës.

“Janë evidentuar dhe trajtuar 3.195 raste, që në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë 11 për qind më shumë. Ne sot duam të rrisim besimin, që mekanizmin e mbrojtjes ndaj çdo shfaqjeje të dhunës ta bëjmë zgjedhje të kujtdo që sot është ende nën dhunë”, deklaroi ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi. 

Top Channel