Femrat e koshit, humbje të thellë; Shqipëri-Britani 55-97

23/11/2016 00:00

Kombëtarja shqiptare e basketbollit të femrave nuk ia doli që t’i shkëputet vendit të fundit në renditjen e grupit C, as me përballjen e gjashtë dhe të fundit të eliminatoreve.

Femrat kuqezi të koshit humbën me një rezultat të thellë ndaj Britanisë së madhe në një ndeshje ku miqtë dominuan totalisht dhe e mbyllën me një diferencë plot 42 pikë.

Që në periodën e parë, ishullorët vendosën diktatin në parketin e pallatit të sportit Asllan Rusi, duke u distancuar shpejt me ekipin shqiptar. Bujari dhe Qypi që ishin shënueset më të mira për përfaqësuesen tonë u munduan të rikuperojnë disi terren por koshat e tyre ishin shumë pak, krahasuar me kualitetin e Britanisë së Madhe.

Në fund rezultati përligji atë që tregoi edhe fusha: 97 pikë për vizitorët dhe 55 për ekipin kuqezi, diferencë e thellë që firmos dhe epilogun e eliminatoreve.

kampionati europian i basketbollit të femrave do të zhvillohet në 2017 mes 16 ekipeve. Çekia si vend organizator është  skuadra e kualifikuar direkt, dhe kësaj do ti bashkohen fitueset e grupeve dhe 6 të renditurat të dyta më të mira.

Top Channel