Vlorë, konflikt mes dy firmave për përpunimin e gurit

23/11/2016 00:00

Shfrytëzimi i guroreve është bërë zanafilla e një sherri mes pronarëve të dy kompanive në qytetin e Vlorës.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtoria lokale e policisë, sipas të cilës përplasja ka ndodhur mes shtetasit Ahmet Canaj, pronar i një prej kompanive të shfrytëzimit dhe djalit të Ylli Sallës, pronar i kompanisë tjetër.

Sipas burimeve, kompania e Canaj ka investuar për shtrimin e një rruge pranë gurrores, me qëllim lehtësimin e transportit të materialeve dhe ka kërkuar nga kompania tjetër që të paguajë detyrimin e saj për përdorimin e rrugës.

Por në mungesë të pagesës, vetë Canaj dhe 5 persona të tjerë, punonjës të tij, këtë të mërkurë i kanë zënë pritë djalit të Sallës, i cili po udhëtonte me një kamion, ndaj të cilit kanë hedhur gurë dhe mjete të tjera të forta.

Për pasojë 17-vjecari me inicialet K.S ka marrë një plagë të lehtë në dorën e djathtë, ndërsa agresorët janë shpallur në kërkim, saktësojnë burimet.

Ato shtojnë se, konflikti mes këtyre dy kompanive ka qenë i njohur pasi ka qenë i vazhdueshëm dhe në shtator një person u arrestua pasi kanosi biznesmenin Ylli Salla.

Materialet hetimore për ngjarjen e sotme i kanë kaluar prokurorisë së rrethit të Vlorës, për akuzat e “vetëgjyqësisë” dhe “plagosjes së lehtë të kryer në bashkëpunim”.

Top Channel