Analisti grek: Shqipëria Europë, Greqia Ballkan

23/11/2016 00:00

Një nga analistët më të njohur grekë, Christos Raptis ka shkruar një shkrim me titullin “Shqipëria Europë, Greqia Ballkan” pas intervistës së kryeministrit Rama për televizionin SKAI, pas të cilës, thotë ai, u ndje qytetar i një vendi të botës së tretë.

“U impresionova me anglishten e tij, qëndrueshmërinë e argumenteve të tij, fjalën e saktë/racionale dhe modestinë e tij. Me pak fjalë, brenda një ore i përqeshi të gjitha këto dënglat/idiotësitë nacionaliste greke lidhur me gjasme Shqipërinë e Madhe, apo gjasme kërcënimet që i përkasin minoritetit grek në Himarë, të cilat në mënyrë konstante i shpërndajnë disa gazetarë të marrosur, si dhe persona që nuk kanë me çfarë të merren dhe riprodhohen në pusin e ujërave të zeza të internetit e në broshura të ndryshme margjinale”, thotë Raptis.

Raptis shkruan më tej se, për Shqipërinë e Madhe, që gjasme përbën axhendën e fshehtë të politikës së jashtme shqiptare, argumentet e Ramës ishin të padiskutueshme.

Sipas gazetarit, kryeministri shqiptar ishte edhe më bindës në lidhje me çështjen e gjasme “trajtimit të pabarabartë” të minoritetit grek të Himarës me prishjen arbitrare të disa ndërtesave që i përkasin qytetarëve shqiptarë me prejardhje greke.

Në analizën e tij, Christos Raptis nënvizon se me pak fjalë, Shqipëria e Ramës përpiqet t’i mbyllë plagët e totalitarizmit të regjimit Hoxha, t’i zbusë armiqësitë, urrejtjet dhe pasionet e historisë së Ballkanit dhe të kalojë përfundimisht në logjikën dhe në kulturën e perspektivës europiane të vendit të tij.

“Në të kundërt, ne kërkojmë pretekste për grindje dhe garipllëqe boshe, në vend që të marrim shembull nga dëshira për prosperitet dhe progres që i përshkon fqinjët tanë. Për fat të keq, kjo është Greqia”, e mbyll analizën Christos Raptis.

Top Channel