Donald Trump “Qytetar Nderi” në Kamëz

23/11/2016 00:00

Donald Trump nuk është ulur ende në karrigen e rëndë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por kjo nuk e pengon që një bashki shqiptare ta nderojë atë me titullin “Qytetar Nderi”.

Bëhet fjalë për një vendim të marrë nga Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Kamzës këtë të mërkurë me motivacionin “Si një model revolucionar i rendit të ri demokratik, një ekspert ekonomik, një negociator në politikat e jashtme, një komunikues mendjemprehtë popullor dhe një udhëheqës i kohëve moderne”.

Në faqen e tij në rrjetet sociale, kreu i Bashkisë së Kamzës, pasi komunikon vendimin bën edhe një pasqyrë të jetës së Donald Trump.

“Në vitin 2016 ai u nominua për President të të gjithë amerikanëve duke thyer çdo rekord votuesish si një model revolucionar i rendit të ri demokratik në mbarë botën”, thuhet aty.

“Ai premtoi se “do të punojë edhe me ata që nuk e mbështetën për të bashkuar vendin, pasi fushata e tij ishte një lëvizje e madhe, nga njerëz që duan një vend më të mirë për veten dhe familjen. Ishte një lëvizje që përfshiu të gjitha racat, gjinitë, fetë për ta bërë Amerikën të madhe sërish”, vijon përshkrimi.

“Edhe pse media kërkoi që Trump të linte garën – ai kurrë nuk u dorëzua, nuk i zhgënjeu mbështetësit e tij, pasi arriti të ridimensiononte format e komunikimit publik direkt me qytetarët. Trump nënvizoi se çështjet që do të trajtonte si President ishin: dhuna në Amerikë, ekonomia, emigracioni, tregtia, terrorizmi. Plani i tij do të vendosë Amerikën, interesat e popullit amerikan dhe sigurinë amerikane në vend të parë, duke rivlerësuar raportet gjeopolitike në botë në të mirë të të gjithëve”, mbyllet njoftimi i shpalljes së Donald Trump “Qytetar Nderi”.

Top Channel