Milanezët mes dëmtimeve, mungojnë Medel dhe Carlos Bacca

23/11/2016 00:00

Skuadrat milaneze të futbollit italian do të përballen me të paktën dy mungesa të rëndësishme në ndeshjet e ardhshme, edhe pse diferenca e kohës që do të jenë të padisponueshëm, varion për të dy ekipet.

Më rëndë është rasti i mesfushorit të Interit, Gary Medel i cili u dëmtua në menisk në derbin ndaj kuqezinjve dhe zgjodhi bashkë me stafin t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale.

Kështu, “Pit Bulli” i formacionit zikaltër do të mungojë disa javë dhe rikthimi i tij pritet në ndeshjet e para të vitit 2017, me të gjitha gjasat ndaj Udinezes. Kjo është një mungesë që peshon shumë duke llogaritur transfertën e Europa Ligës në Izrael, si dhe përballjet e serisë A.

Nuk kanë shkuar më mirë lajmet nga infermieria këtë mesjavë as për Milanin.

Sulmuesi kolumbian Carlos Bacca që pati probleme me muskujt e kofshës së djathtë në sfidën e fundit në San Siro, do të mungojë në transfertën e së shtunës ndaj Empolit. Lënia e futbollistit latin jashtë formacionit, është një shans ideal i Xhanluka Lapadulës për të treguar vlerat.

Deri tani ai ka zhvilluar vetëm dy ndeshje si titullar dhe ka shënuar vetëm një herë, në transfertën siciliane ndaj Palermos.

Top Channel