Çudit sërish Trump: Nikki Haley ambasadore në OKB

23/11/2016 00:00

Presidenti i zgjedhur Donald Trump emëroi Guvernatoren e Karolinës së Jugut Nikki Haley si ambasadore të SHBA-së në OKB, duke e vlerësuar ish-kritikën e tij si tepër të aftë në arritjen e ujdive.

Vajzë e emigrantëve indianë, e martuar me dy fëmije, 44-vjeçarja konsiderohet si një yll në ngritje i Partisë Republikane. Është gruaja e parë, jo e bardhë në administratën Trump, sipas mediave e sponsorizuar nga Jared Kushner, dhëndri me shumë influencë i Presidentit.

“Guvernatorja Haley ka treguar se ka ditur të bashkoje njerëzit pavarësisht bindjeve të tyre politike, për miratimin e politikave te rëndësishme për shtetin e saj apo vendin tonë. Ajo do të jetë një lidere e madhe që do të na përfaqësojë neve në skenën botërore”-pohoi presidenti i zgjedhur në një deklaratë për shtyp.

Senati i kontrolluar nga republikanët do të duhet të konfirmojë tani emërimin e saj para se të marrë zyrtarisht postin. Nga ana e saj, Haley tha se ishte prekur nga detyra që i ishte caktuar.

Gjatë zgjedhjeve parapake Guvernatorja mbështeti senatorin e Floridas Marco Rubio, e më pas senatorin Ted Cruz, kundërshtari i fundit i Trump përpara se të merrte kandidaturën e partisë.
Edhe pse ja dha votën manjatit të pasurive te paluajtshme 44-vjeçarja ka thënë se nuk ishte një adhuruese e tij e as e kandidates demokrate Hilary Klinton. Gjithashtu ajo ka sulmuar ashpër propozimin e Trumpit për të ndaluar hyrjen e emigranteve myslimane, e po ashtu refuzimin e tij për të mos publikuar të dhënat e taksave. 

Ndërkohë Trump e ka quajtur atë në të kaluarën si shumë të dobët sa i përket emigracionit të paligjshëm dhe se banoret e Karolinës se Jugut ndiheshin të turpëruar prej saj.

Që prej 2013-s postin e sekretares amerikane në OKB e mban Samantha Power, akademike e Harvardit, ish korrespondente lufte dhe fituese e çmimit Pulicer.

Top Channel