Statusi i Naftëtarit, përfitojnë 5 mijë persona

23/11/2016 00:00

Qeveria ka gati statusin e naftëtarit nga i cili do të përfitojnë rreth 5 mijë persona. Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj dhe ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi u takuan këtë të mërkurë me përfaqësues të sindikatës së naftëtarëve.

Nisma ka marrë formën përfundimtare si draft dhe pas miratimit në qeveri i kalon për diskutim dhe miratim Kuvendit të Shqipërisë. Ky projektligj përcakton pozitën juridike, ekonomiko -financiare dhe shoqërore, kërkesat e  përgjithshme të pranimit, të drejtat, detyrimet dhe kufizimet e punonjësve të Industrisë së Naftës dhe Gazit në Republikën e Shqipërisë, për arsye të karakterit të veçantë të punës dhe ndikimit në shëndet të kësaj pune, si dhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre.

“Projektligji i ka marrë parasysh imputet e të gjithë aktorëve të interesuar. Besoj është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Fierit, qytetarët e Vlorës, qytetarët e Beratit, të gjithë ata njerëz që me vite kanë kontribuar në sektorin e naftës. Patjetër ne ndihemi krenar si qeveri dhe si maxhorancë që po plotësojmë diçka të domosdoshme të merituar për shumë njerëz që kanë bërë sakrifica në këtë industri”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Ndërkaq, Ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi deklaroi se e vlerëson faktin se tashmë po piqen kushtet që statusi i naftëtarit të bëhet realitet. Ai sqaroi se projektligji ka një faturë financiare dhe atë qeveria merr përsipër ta mbulojë nga vet skema e sigurimeve shoqërore.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela Felaj tha se Statusi është përmbushja e një premtimi publik, por edhe elektoral që kjo qeveri u ka bërë naftëtarëve.

Numri i përfituesve të këtij statusi llogariten rreth 5 mijë vetë ndërsa përfitues të pensionit në vitin e parë si rezultat i uljes së moshës së pensionit me pesë vjet llogaritet afërsisht 2 mijë persona.

Top Channel