Statusi i naftëtarit, nisma kalon javën e ardhshme në qeveri

23/11/2016 00:00

Javën e ardhshme në do të kalojë në qeveri dhe më pas në Kuvend projektligji për statusin e naftëtarit, që përcakton pozitën juridike, ekonomiko-financiare dhe shoqërore, kërkesat e përgjithshme të pranimit, të drejtat, detyrimet dhe kufizimet e punonjësve të Industrisë së Naftës dhe Gazit në Republikën e Shqipërisë.

Avantazhet e propozuara sipas projektit ekzistues pritet të jenë:

-përfituesit propozohet të jenë ushtruesit e profesionit, tani dhe ne të kaluarën, të përfshirë në të gjithë zinxhirin e prodhimit: nga sektori i kërkimit, prodhimit, përpunimit, transportit me naftësjellës dhe gazsjellës, si dhe ne institucionet tekniko-shkencore dhe administrative te naftes dhe gazit. Nuk janë lënë në harresë as ata që janë të aksidentuar në punë pavarësisht kohës së punës në këtë industri.

-përcaktohet procedura dhe dokumentat e nevojshëm për marrjen e statusit 

-paga minimale e personave me këtë status propozohet të bëhet minimalisht sa 150% e pagës minimale në rang vendi.

-propozohet që përfitime të kenë dhe personat që, pas një eksperience të konsiderueshme në këtë fushë, janë të papunë në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit.

-përgjegjësi propozohet që t’u ngarkohet dhe kompanive të naftës, të cilat në raste ristrukturimi apo largimi nga puna për arsye që nuk varen nga naftëtari, u paguajnë atyre një shpërblim 60% ose 80% të pagës minimale neto në shkallë vendi.

-propozohet që të përcaktohet dhe ndahet mosha e daljes në pension dhe përfitimet relevante, duke bërë një ndarje edhe për pozicione dhe vende pune, “punë të vështira ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e njeriut”. Konkretisht, mosha e daljes në pension për këto persona për punë të rrezikshme është 60 vjeç për burrat dhe 55 vjeç për gratë dhe periudhë të përgjithshme sigurimi 30 dhe 25 vjet dhe vjetërsi në këto profesione sa ½ e vjetërsisë së përgjithshme.

-përveç moshës, me statusin e naftëtarit, individët propozohet që të përfitojnë edhe në masën e pensionit ku sipas rastit, do të kenë një përqindje të caktuar më të lartë se shuma sipas formulës bazë.

MEI ka propozuar: punonjësit e industrisë së naftës dhe gazit që gëzojnë statusin e naftëtarit dhe që dalin në pension ose kanë dalë në pension, përfitojnë shtesë pensioni a).- në masën 60% të vlerës së pensionit të plotë të pleqërisë, të llogaritur apo aktual, për punonjësit që kanë jo më pak se 30 vjet punë për burrat dhe 25 vjet punë për gratë, në industrinë e naftës; b).- në masën 40% të vlerës së pensionit të plotë të pleqërisë, të llogaritur apo aktual, për punonjësit që kanë jo më pak se 20 vjet punë për burrat dhe 18 vjet punë për gratë në industrinë e naftës) Gjithashtu, personat me statusin e naftëtarit propozohet të përfitojnë edhe kontroll mjekësor falas 2 herë në vit. Përfitime të tjera parashikohen edhe në raste specifike, nëse evidentohen sëmundje të krijuara drejtpërdrejt nga puna në Industrinë e Naftës dhe Gazit Madje, propozohet që ata të përfitojnë dhe 25% shtesë, të paguar, në pushime vjetore

-specialistët e lartë që gëzojnë statusin e naftëtarit, dhe që janë autorë ose bashkëautorë të studimeve, projekteve dhe raporteve në industrinë e naftës dhe të gazit, gëzojnë të drejtën e autorësisë dhe pronësisë intelektuale për këto studime.

-përfituesit e statusit të naftëtarit, sipas këtij ligji, propozohet të jenë përfitues në privatizimin e Industrisë se Naftes dhe Gazit në raport me kohën e punës, shkallën e kualifikimit dhe kategorizimit të punës. Kriteret, masa dhe procedurat e përfitimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave

-Këshilli i Ministrave do të miratojë politika dhe masa mbështetëse për punonjësit e Industrisë së Naftës dhe Gazit për plotësimin e nevojave të tyre për strehim. Numri i përfituesve të këtij statusi llogariten rreth 5 mijë vetë ndërsa përfitues të pensionit në vitin e parë si rezultat i uljes së moshës së pensionit me pesë vjet llogaritet afërsisht 2 mijë persona. Statusi i naftëtarit konsiston kryesisht në përfitime financiare. Për këtë arsye, Qeveria ka vendosur të vijë me një propozim të ri, me një efekt financiar të studiuar dhe të mbështetur në Buxhetin e Shtetit, si administruese e vetme e këtij të fundit.

Top Channel