Me urdhër mbrojtje dhe në sy të policisë, vjehrra e kërcënon me thikë në dorë

23/11/2016 00:00

Fiks Fare risjell historinë e Ermirës nga Shijaku, një nënë që ka dhjetë urdhra mbrojtjeje nga gjykata ndaj bashkëshortit dhe vjehrrës.

Me 10 urdhra mbrojtjeje, Ermira bashkë me tre fëmijët e saj ndihet çdo ditë e kërcënuar, pasi jeton nën të njëjtën çati me dhunuesit e saj. Ajo kërkon vetëm strehim, që të largohet para se të jetë shumë vonë për të dhe fëmijët e saj.

Fiks Fare trasmetoi me pamje sesi vjehrra e kërcënon me thikë këtë grua në banesën e saj në prani të forcave të policisë, në sy të fëmijëve të mitur të cilët qajnë të frikësuar për fatin e mamasë së tyre. Pas 9 urdhra mbrojtje që mori kundrejt bashkëshortit të saj që aktualisht është në burg me akuzën dhunë e përsëritur në familje.

Urdhrin e 10 Ermira e mori kundrejt vjehrrës me të cilën banon në të njëjtin pallat. Ky urdhër mbrojtje mbaroi më datë 22 nëntor, ndërkohë që një ditë para, në datën 21 nëntor, vjehrra e kërcënon me një thikë në dorë në sy të policisë dhe fëmijëve.

Edhe pse të pranishëm 2 efektiv policie gruaja nuk heziton të kërcënojë dhe fyej Ermirën. Kërcënimet nuk ndalen me kaq, edhe pse pas qelive të burgut, burri i Ermirës e ka gjetur mënyrën për ta kërcënuar sërish.

Ermira kërkon vetëm një strehim, për t’u larguar njëherë e mirë nga banesa ku është komshie me vjehrrën dhe e detyruar ta ndaj atë me burrin në lirimin e tij. Në të kundërt shprehet ajo jo vetëm jeta e saj është në rrezik, por edhe e fëmijëve të mitur.

Top Channel