Uellsi dhe Irlanda e Veriut hetohen për “Lulëkuqen”

23/11/2016 00:00

FIFA hap hetime për Federatën Uellsiane të Futbollit dhe atë të Irlandës së Veriut. Shkaku është shfaqja e simbolit të Lulëkuqes gjatë ndeshjeve për eliminatoret e Botërorit 2018, kundër Serbisë dhe Azerbajxhanit.

Si në Uells ashtu edhe në Irlandën e Veriut, tifozët në shkallët e stadiumit krijuan një mozaik me këtë simbol, ndërkohë që futbollistët zbritën në fushën e lojës duke mbajtur një shirit të zi në krah. Hapja e hetimeve ndaj këtyre dy federatave u konfirmua nga një prej zëdhënësve të FIFA-s. Sipas një rregulli të Bordit Ndërkombëtar të Federatave, ku përfshihen edhe organizmat drejtues të futbollit britanik, futbollistët nuk duhet të mbajnë simbole politike e fetare apo të shfaqin slogane e imazhe personale rreth këtyre çështjeve.

Federata e Irlandës së Veriut reagoi ndaj këtij vendimi të FIFA-s, duke theksuar se do të dalë kundër FIFA-s dhe do të mbrojë vendimin e saj për të kujtuar të rënët në Luftën e Parë Botërore. Në të njëjtën kohë, për të njëjtën arsye, FIFA ka hapur hetime edhe ndaj federatës angleze dhe asaj skoceze.

Top Channel