Veliaj: “Arena Kombëtare”, ndër punëdhënësit kryesorë në Tiranë

23/11/2016 00:00

Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka inspektuar punmet për ndërtimin e stadiumit të ri, “Arena Kombëtare”, ish stadiumi “Qemal Stafa”. Ai tha se stadiumi do të rigjallërojë jetën e  kryeqytetit, por edhe është një ndër punëdhënësit kryesor në Tiranë.

Ndërtimi i tij tha Veliaj do të garantojë edhe 4 sheshe të reja dhe 300 vende parkimi.  “Jam shumë entuziast sot që jemi në kantierin më të bukur në Tiranë. Tirana vërtet ka 100 kantiere, por ky ndoshta është më i bukuri për disa arsye: Së pari, sepse është në mes të qytetit për të rigjallëruar qytetin. Kemi bërë disa projekte, kemi ndërhyrë te liqeni, te sheshi “Nënë Tereza”, por besoj që në fund të 18 muajve, kur stadiumi të ketë mbaruar, do të kemi jo vetëm një stadium spektakolar, por një hapësirë publike me 4 sheshe, mbi 300 vende parkimi dhe sigurisht, standardet më të larta që kërkohen sot në lojën e bukur të futbollit”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku vlerësoi se investime të tilla kanë një impakt të drejtpërdrejtë edhe në rritjen e vlerës së pronës për qytetarët, ndërkohë që theksoi se kantieri ku po punohet për stadiumin e ri ka krijuar edhe vende të reja pune.

“Stadiumi është një ndër punëdhënësit kryesorë në qytetin e Tiranës. Për të gjithë ata që kanë qenë të shqetësuar ndër vite, për ata që rrinë tek Ushtari i Panjohur, sot shumë prej tyre kanë një vend pune. Janë mbi 300 qytetarë që kanë një punë për dy vitet e ardhshme dhe besoj se të gjitha këto investime përkthehen në shtimin e punësimit të qytetit”, theksoi ai.

Veliaj  u shpreh se investimi për ndërtimin e stadiumit ka ndikuar pozitivisht edhe në të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, të cilat janë përkthyer në më shumë investime për qytetarët.

Top Channel