Gripi i shpendëve është kthyer në formën e një shtami tjetër: H5N8 po përhapet në Europë, ku është duke pushtuar ngadalë pulari e duke vrarë edhe zogj të egër. Fermerët janë gjithmonë e më të shqetësuar, sidomos tani përpara sezonit festiv.

H5N8 nuk konsiderohet ende një rrezik për njerëzit, por ekspertët kërkojnë të bëhet kujdes pasi ai është në evoluim. Shtami aktual është derivat i H5N1-shit që filloi të vriste masivisht shpezët në Kinë në vitin 1996, e pas tyre edhe njerëzit. Sëmundja shpërtheu në vitin 2004, në Azinë lindore dhe prej zogjve shtegtarë u përhap pas dy vjetësh edhe në Europë e Afrikë. Që prej atëherë, virusi ka qëndruar i fjetur në pjesën më të madhe të kohës, por jo i zhdukur plotësisht.

Shumë shpendë, sidomos pulat e vaksinuara në Azi, mund të bëhen bartëse të tij, megjithëse vetë janë të imunizuara. Kjo ndodh edhe me zogjtë e egër, të cilët shkëmbejnë në shtegtim viruse me të tjerët. Një fenomen i tillë duket ka lejuar dhe hibridizimin e H5N1-shit. Ngordhje të zogjve të egër për shkak të shtamit aktual kanë raportuar një sërë shtetesh europiane, përfshirë këtu Austrinë, Kroacinë, Danimarkën, Gjermaninë, Hungarinë, Poloninë, Rusinë, Zvicrën e Holandën. Në këtë situatë, Bjellorusia vendosi të ndalojë importin e shpendëve nga disa rajone të Kroacisë, Holandës dhe Danimarkës, ndërsa në Korenë e Jugut dy ferma të tjera shpezësh u mbyllën të martën pas pikasjes së patogjenit të rrezikshëm.

Top Channel