Ngacmon seksualisht fëmijët e tij të mitur, arrestohet 32-vjeçari

23/11/2016 00:00

Një 32-vjeçar në kryeqytet është vënë në pranga për akuza tejet të rënda. Ai është arrestuar pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht dy fëmijët e tij 6 dhe 7 vjeçar si dhe ka ushtruar dhunë psikologjike e ka kryer vepra të  turpshme ndaj ish-bashkëshortes së tij, 29-vjeçare.

Policia nuk e tregon identitetin e tyre. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë me dije se çifti kishte mbi një vit që ishte divorcuar pas konfkteve të vazhdueshme. Po burime nga policia e kryeqytetit thanë për Top Channel se 32-vjeçari i arrestuar është praktikant i fesë myslimane, ndonëse akuzat për të cilat ai do të përgjigjet para drejtësisë bien ndesh me parimet elementare të fesë.

Denoncimi është bërë në Komisariatin nr.3 të Tiranës nga nëna e djalit dhe vajzës së mitur të ngacmuar seksualisht.

Episodi i rëndë ka ndodhur përpara divorcit, rreth 1 vit më parë, kur bashkëshortët dhe fëmijët jetonin së bashku në një banesë.

Të miturit janë marrë në pyetje në prani të psikologut duke shfaqur shenja traumatizimi. Ndërkohë babai i arrestuar nuk i ka pranuar akuzat. Nga ana tjetër ai rezulton person me precedentë të mëparshëm penalë, pasi është dënuar për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Ndaj bashkëshortes së tij, e cila ka denoncuar ngjarjen, është plotësuar edhe kërkesë padia për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes së menjëhershme.

Top Channel