Britania i kundërpërgjigjet Trump: Ambasadorët i zgjedhim vetë

23/11/2016 00:00

Komentit të paprecedentë të Donald Trumpit, që aktivisti pro shkëputjes së Britanisë nga Unioni, Nigel Farage, të bëhej ambasador Londrës në Uashington, qeveria britanike nxitoi të përgjigjej se posti ishte i zënë.

Trump i cili pas fitores se tij takoi Farage përpara çdo lideri tjetër të Bashkimit Europian, deklaroi në Twiter se shumë njerëz do të dëshironin ta shihnin ish-tregtarin e metaleve të kthyer në poltikan si ambasador britanik. “Ai do të bënte një punë të shkëlqyer”, pohoi presidenti i zgjedhur.

Kryeministrja Theresa May, e cila e përgëzoi manjatin e pasurive të paluajtshme për fitoren, nuk ngurroi ta refuzonte një propozim të tillë aspak diplomatik, me një zëdhënës që tha se Britania e kishte një ambasador të shkëlqyer në Uashington dhe se Londra i cakton vetë të dërguarit e saj.

“Nuk mbaj mend një kërkesë të ngjashme në histori. Të paktën jo në mënyrë kaq publike. Një ambasador duhet të përfaqësojë qeverinë e tij në tokë të huaj dhe duhet të jetë shumë i besuar. Nëse Donald Trump do t’i kërkojë Nigel Farage diçka për qeverinë britanike dhe nëse ai nuk flet mirë për të, kjo nuk i bën mirë as Trumpit e as Britanisë”, deklaroi Jason Dittmer, profesor i gjeografisë politike në Universitetin e Londrës.

Sugjerimi publik mbi atë që duhet të emërohet ambasador nga njeriu që do të drejtojë aleatin më të ngushtë të Britanisë, e vë kryeministren May në një pozitë shumë të vështirë ndërsa përpiqet të forcojë lidhjet me Uashingtonin në prag të shkëputjes nga Bashkimi Europian.

Mënyra se si SHBA dhe Europa zgjedhin ambasadoret ndryshon shumë. Në SHBA ekziston praktika e emërimit të personave të famshëm ose donatorëve të fushatave, ndërsa shtetet europiane zgjedhin si ambasadorë diplomatë apo zyrtarë me eksperiencë të gjatë.

Top Channel