Fëmijët me nevoja të veçanta; Një tjetër qendër në Elbasan për trajtimin e tyre

22/11/2016 00:00

Rudi është 14 vjeç. Vetëm pak ditë pas lindjes ai u diagnostikua me probleme të mëdha zhvillimi. Një sfidë dhe një punë e madhe do të priste atë dhe familjen e tij në vitet në vazhdim.

“Është trajtuar që i vogël me disa terapi. Ne e shohim si çdo fëmijë tjetër, jeta vazhdon. Mbi të gjitha ne themi është dhuratë nga Zoti”, shprehet Eltiona Kolla, mamaja e Rudit.
 
Për vite me radhë Rudi, ashtu si edhe shumë fëmijë të tjerë është trajtuar në qendrën sociale Balashe dhe në qendrën shqiptare për njerëzit me nevoja të veçanta.

“Nuk do të kisha këto mundësi, për ne është një “luks” ekzistenca e këtyre qendrave pasi ndihmon në zhvillimin e fëmijëve”, shton  Eltiona Kolla.

Qytetit të Elbasanit do t’i shtohet edhe një qendër tjetër financim të qeverisë së Kuvajtit, që do t’u vijë në ndihmë fëmijëve me nevoja të vecanta,

“Ky është një projekt i rëndësishëm për ju dhe për ne, për t’i shërbyer një shtrese që ka nevojë për ndihmën tonë të përbashkët”, thotë Fajiz Meshari Jasem, ambasador i Kuvajtit në Shqipëri.
 
Qendra e sapo inauguruar ofron vlerësim psikologjik, social, fizik, shërbime terapeutike, mbështetje psiko-sociale, edukim dhe arsim.

Top Channel