PE rrit tonet ndaj Turqisë: BE të ndalojë bisedimet e anëtarësimit

22/11/2016 00:00

Politika e ndjekur nga presidenti Rexhep Tajip Erdogan pas grushtit të shtetit  ka ngritur kambanat e alarmit në Bruksel. Krerët e dy grupeve më të mëdha të Parlamentit Evropian i kanë bërë thirrje BE-së për të ndaluar bisedimet e anëtarësimit të Turqisë për shkak të spastrimeve masive që shteti po bën pas grushtit të shtetit.

“Mesazhi ynë për Turqinë është shumë i qartë: negociatat e pranimit duhet të bllokohen menjëherë”, është shprehur Manfred Weber, kreu i partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë.

Të njëjtin mesazh dha edhe Gianni Pitella, lideri i grupit socialist europian kur tha se diskutimet për anëtarësimin e Turqisë duhet të ngrijnë.

“Turqia nën  drejtimin  e Erdogan po shkon gjithnjë e më shumë drejt një regjimi autoritar. Mesazhi ynë politik për Turqinë është që të drejtat e njeriut, të drejtat civile, dhe demokracia duhet te respektohen në qoftë se ju doni të jenë pjesë e BE-së”, thotë Gianni Pitella, lideri i grupit socialist europian.

Më shumë se 110,000 persona  në Turqi- duke përfshirë ushtarake, akademikë, gjyqtarë, gazetarë dhe krerë të lartë përfaqësues kurdë – janë pushuar nga detyrat e tyre ose në rastin më të keq janë akuzuar si komplotues për grushtin e shtetit. 

36,000  persona janë arrestuar, ndërsa shumë media janë mbyllur. Gjenerali Jens Stoltenberg disa ditë më parë deklaroi se përfaqësues të lartë ushtarakë turq kanë aplikuar për azil në vendet e Bashkimit Europian.

Top Channel