Detajet e bisedës Rama-Tsipras

22/11/2016 00:00

Mediat greke bënë të ditur se dy kryeministrat Edi Rama dhe Aleksis Tsipras kanë komunikuar sot në telefon me kërkesë të kryeministrit shqiptar. Marrëdhëniet mes dy vendeve dhe zhvillimet e fundit kanë qenë tema kryesore e kësaj bisede. Ndërkohë, një burim i Top Channel e konfirmon atë që është mësuar paraprakisht nga mediat greke. 

Gjatë ditës së sotme ka pasur një bisedë jo të shkurtër telefonike mes kryeministrit Rama dhe atij grek Tsipras. Në fokus të kësaj bisede ka qenë temperatura e rritur e kohëve të fundit dhe praktikisht janë prekur të gjitha çështjet që i kanë trazuar ujërat mes Tiranës e Athinës.

Gjithashtu, është folur edhe për shqetësime konkrete lidhur me mbarëvajtjen e ndërveprimit mes të dy shteteve, në funksion të respektimit maksimal të të drejtave të qytetarëve shqiptarë apo grekë nga të dyja palët respektive.

Mësohet se të dy kryeministrat kanë qenë sidoqoftë dakord mbi nevojën për të intensifikuar përpjekjet sa më të sinqerta në kuadër të mekanizmit dypalësh të instaluar nën drejtimin e dy ministrave të Jashtëm, për të adresuar me dialog dhe efektivitet çështjet e lartpërmendura, duke u mbështetur në forcimin e besimit, larg retorikës që e dëmton besimin reciprok dhe mbi të gjitha duke respektuar nevojën e dy popujve tanë për thellimin e miqësisë tradicionale.

Sipas burimit të Top Channel, biseda e dy shefave të qeverive ka qenë mjaft e hapur dhe jo e lehtë, por me një frymë mjaft konstruktive.‎

Top Channel