“IMSI Catcher”, Çako hesht për pajisjen: Ka një hetim nga prokuroria

22/11/2016 00:00

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve në komisionin hetimor parlamentar mbi pajisjen përgjuese “IMSI Catcher”.

Kryepolici ishte thirrur në cilësinë e dëshmitarit, por heshtjen e tij e justifikoi me faktin se për këtë çështje ka një hetim nga prokuroria.

Nga mbledhja u larguan deputetët e mazhorancës, të cilët nuk pranuan që seanca të drejtohej nga Flamur Noka, për të cilin kërkuan më herët përjashtimin me 10 ditë.

“Nuk jam i predispozuar të flas përsa kohë ka një hetim nga organi i akuzës. Nuk jam i pandehur këtu. Jam i vendosur të zbatoj ligjin dhe ky është qëndrimi im”, tha Çako.

Më herët, drejtuesi i seancës akuzoi ministrin Tahiri se po i shmanget komisionit hetimor dhe për këtë arsye ai tha se do të njoftojë policinë për shoqërimin e tij.

Përveç Tahirit, në komision nuk u paraqit për të dëshmuar edhe kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, i cili kishte njoftuar se ndodhet jashtë Shqipërisë.

Top Channel