Buxheti i ulur për sportet, Ylli debaton me ministren Nikolla

22/11/2016 00:00

Në ditët e fundit të diskutimeve të projektbuxhetit për vitin 2017, të gjithë sektorët, përfshirë edhe sportin, po përpiqen maksimalisht të përfitojnë sa më shumë. Krahasuar me një vit më parë, parashikimi për projektbuxhein e vitit të ardhshëm ka një rënie me 4 herë, gjë që nuk ka kaluar pa debate.

Njerëzit e sportit vazhdojnë të ngrenë zërin për të përfituar sa më shumë dhe si përfaqësues i tyre ka folur sërish në komisionin parlamentar “Për edukimin dhe mjetet e informimit publik”, deputeti Fidel Ylli, në praninë edhe të ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla.

“Pa para’ nuk bëhet sporti. Duhen para’. Ta dijë i gjithë opinioni publik dhe t’i themi kryeministrit që ta ngremë buxhetin e sportit elitar, që t’i mbajmë sportistët këtu”, deklaroi Ylli.

Ndërsa ministrja Nikolla tha: “186 milionë lekë janë pak, por janë mjaftueshëm për të filluar një histori të re në kuptimin e përdorimit të këtyre parave me shumë eficencë”.

Ndërkohë, drejtori i Sporteve pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjoni thekson se buxheti për grantet e federatave është aq sa ka qenë, ndërkohë që mënyra e investimeve në infrastrukturë ka ndryshuar.

“Buxheti i sportit është në të njëjtin nivel me vitet e mëparëshme. Sa i përket investimeve, qeveria ka përdorur një skemë tjetër duke ia kaluar fondet pushteteve lokale. Si për shembull i ka kaluar 4-5 milionë euro Bashkisë së Korçës për ndërtimin e parkut olimpik”, shpjegon Gjoni.

Megjithatë, në gjuhën sportive, mbyllja e Olimpiadës e konsideron vitin pasardhës si “Viti 0”, pra nga ku fondet për 4-vjeçarin deri në Olimpiadën tjetër pësojnë një rritje graduale.

“Sigurisht që fondet vijnë gradualisht në rritje sa më shumë i afrohemi vitit olimpik sepse federatat kanë më shumë aktivitete sportive që janë kualifikuese për olimpiadën”, thotë Gjoni.

Top Channel