Erdogan: Trump s’do jetë i ashpër ndaj myslimanëve

22/11/2016 00:00

Rexhep Tajip Erdogan rreshtohet në krahun e liderëve botërorë që shpresojnë në ngrohjen e marrëdhënieve të vendeve të tyre me Amerikën pasi në krye të Shtëpisë së Bardhë të vendoset Donald Trump.

Fitorja e miliarderit në zgjedhjet e 8 nëntorit krijoi shumë pakënaqësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përfshirë këtu dhe një pjesë të establishmentit republikan, por jashtë kufijve, ata që patën fërkime me administratën Obama, presidencën e Trump e shohin si mundësi të mirë për një fillim të ri.

“I telefonova Trumpit ditën pas fitores dhe ai mu përgjigj. Të dy ramë dakord se duhet bërë shumë përsa i takon të ardhmes së marrëdhënieve amerikano-turke. Unë vetë nuk mendoj se ai do të ndjekë një linjë aq të ashpër kundër myslimanëve. Në fakt, pas atyre që tha gjatë fushatës e ka korrigjuar veten në deklaratat e fundit mbi këtë çështje”, u shpreh Erdogan.

Këto komente, Presidenti turk i bëri gjatë një interviste për një televizion izraelit ku foli dhe për cilësitë që duhet të ketë udhëheqësi i një kombi.

 “Çdo vendi i duhet një lider i fuqishëm që të ecë përpara. Kur nuk ka udhëheqës të tillë, vendi nuk përparon dot. Një shtet që nuk ka në krye  drejtues të forte, është i destinuar të rrëzohet”, shtoi Presidenti turk.

Kjo ishte hera e parë që Erdogan fliste për një media izraelite që prej ashpërsimit të marrëdhënieve mes dy vendeve për shkak te incidentit të flotiljes së aktivistëve turq në 2010-tën.

Izraeli dhe Turqia i normalizuan relatat mes tyre në muajin qershor, të shtyrë nga perspektiva e një pakti tejet fitimprurës gazi në zonën e Mesdheut si dhe nga frika e përbashkët mbi rreziqet e sigurisë në Lindjen e Mesme.

Top Channel