Ish-futbollisti britanik tregon tmerrin: Trajneri më përdhunonte

22/11/2016 00:00

Opinioni sportiv dhe ai publik në Britani është trondiur nga intervista dhënë në BBC e një ish-futbollisti anglez, i cili ka deklaruar se ka qenë përdhunuar për vite me radhë nga ish-trajneri i tij, që kur nisi karrierën si futbollist me grupmoshat. 43-vjeçari Andy Woodward ka zbuluar publikisht se si trajneri i tij pedofil, Barry Bennell, i dënuar tashmë për raste të ngjashme abuzimi me fëmijë, e ka përdhunuar atë për 4 vite rrjesht.

Në një gjest të paprecedent guximi, duke hequr dorë nga e drejta e tij për anonimitet, një ish-futbollist anglez, tashmë në moshën 43-vjeçare, ka deklaruar në një program të BBC se ai ka qenë përdhunuar për 4 vjet rresht nga ish-trajneri i tij pedofil.

Ish-mbrojtësi i Sheffield United, Andy Woodward, ka treguar tmerrin që ai ka përjetuar nga trajneri i tij kur filloi karrierën me të rinjtë e ekipit Stockport, një makth që ka zgjatur prej tre dekadash. Ai thotë se “po flas këtu edhe për qindra fëmijë të cilët trajneri i zgjidhte me dorën e vet nga ekipet e grupmoshave, të cilët tashmë janë të rritur dhe mund të jetojnë me këtë makth të tmerrshëm”. 

Ne, shton ai, kemi parë se sa të guximshëm janë treguar ata që u abuzuan nga Jimmy Savile, ish-prezantuesi i BBC, por në botën e futbollit është akoma më e vështirë të flasësh, deklaroi ish-fubollisti anglez.

Ish-trajneri Bennell është burgosur me nëntë vite burg në vitin 1998, pasi pranoi abuzimin me djem dhe të rinj, disa 9-vjeçarë, gjatë dy dekadave që ka qenë trajner. Ndërkohë, një vit më parë atij ju dhanë edhe dy vjet të tjera burg për abuzimin me një djalë 12-vjeçar.

Një ish-futbollist i lidhur si viktimë e mundshme e këtij trajneri ka qenë edhe Gary Speed, i cili në vitin 2011 kreu vetëvrasje, në moshën 42-vjeçare.

Pas intervistës së ish-futbollistit Andy Woodward, sipas “The Guardian”, 6 persona të tjerë kanë kontaktuar policinë dhe Federata e Futbollit ka hapur një linjë telefonike për viktima të tjera potenciale.

Top Channel