Tirana në terr, OSHEE: Brenda javës përfundon nënstacioni

22/11/2016 00:00

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike thotë se zhvendosja e nënstacionit elektrik në qendër të kryeqytetit do të përfundojë brenda kësaj jave, duke i dhënë fund ndërprerjeve të energjisë për qytetarët, si ato të mbrëmjes së të hënës.

“Kanë përfunduar 97% e punimeve në zhvendosjen e nënstacionit qendër. Aktualisht jemi në fazën e kolaudimit dhe testimit dhe brenda kësaj jave Tirana do t’i kthehet furnizimit normal të energjisë”, ka deklaruar Klevis Jahaj, nga Drejtoria e OSHEE Tiranë.

Zhvendosja e nënstacionit po kryhet për t’i lënë hapësirë projektit të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e Unazës së Vogël.

Nënstacioni furnizon 30% të konsumatorëve të kryeqytetit, duke përfshirë edhe mjaft institucione të rëndësisë së veçantë. Kjo peshë aktualisht është shpërndarë në nënstacione të tjera, çka ka çuar në probleme me furnizimin me energji.

Top Channel