Singapori e Malajzia i thonë lamtumirë Formula 1

22/11/2016 00:00

Malajzia nuk do të presë më një garë të Formula 1 duke nisur që nga viti 2018. Drejtuesit e cirkuitit kanë vendosur të mos e rinovojnë kontratën aktuale me FIA që skadon pikërisht pas 2 vitesh. Sipas tyre, shitjet e biletave dhe audienca ka pësuar një rënie të ndjeshme që si pasojë ka sjellë edhe reduktimin e të ardhurave.

Në garën që u zhvillua në tetor në Malajzi ku fitoi Daniel Ricciardo, në tribunë ishin vetëm 45 mijë tifozë, ndërkohë që kapaciteti i saj është me 120 mijë vende. “Duke e parë nga perspektiva, ky ishte vendimi më i mirë që është marrë”, tha ministri i Turizmit dhe Sporteve Nazri Abdul Aziz. “Gara e Formula 1 po bëhej më e shtrenjtë dhe gjithnjë e më pak tërheqëse”.

Megjithatë garat e shpejtësisë nuk do të mungojnë në Sepang. Drejtuesit e cirkuitit në fakt kanë rinovuar kontratën me ata të MotoGP për zhvillimin e një garë të këtij botërori deri në vitin 2021.

Vendimi për daljen nga kalendari i garës së Malajzisë,erdhi menjëherë pas njoftimit të bërë nga Bernie Ecclestone për mundësinë e largimit edhe të Çmimit të Madh të Sngaporit. Nëse të dy këto vende do t’i qëndrojnë deri në fund qëndrimit të tyre, atëherë Azia Juglindore do të qëndrojë jashtë botërorit të Formula 1 për herë të parë që nga viti 1998.

Top Channel