Incident në Parlament, pas debatit me Tahirin, Noka përplaset me Brahon

22/11/2016 00:00

Në Komisionin Parlamentar të Sigurisë ka ndodhur këtë të martë një incident gjatë kohës kur në praninë e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri është diskutuar për buxhetin e rendit.

Pas një përplasjeje mes deputetit, Flamur Noka dhe ministrit të Brendshëm, deputeti demokrat është konfliktuar edhe me kryetarin e Komisionit, Spartak Braho dhe më pas është larguar.

Noka ka këmbëngulur në qëndrimin e ministrit Tahiri gjatë mbledhjes së Komisionit dhe në momentin që ministri i Brendshëm është larguar, i është drejtuar kreut të Komisionit të Sigurisë.

“Të çohet tjetri në mes të mbledhjes?! Të dhj*fsha mu në kryetar që je! Tjetri të ikën nga mbledhja. Do të drejtosh edhe seancat ti! Ik qërohu aty!”, tha Noka duke lënë i revoltuar sallën e mbledhjeve.

Pas kësaj përplasjeje, kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho bëri një kërkesë për mbledhjen e Byrosë së Kuvendit për përjashtimin me 10 ditë deputetit demokrat, Flamur Noka.

Më herët ministri Tahiri shpjegoi në Komision se buxheti i vitit të ardhshëm garanton investime të mëtejshme në Policinë e Shtetit.

“Nuk është buxhet i mjaftueshëm, por është buxheti me i arsyeshëm për të financuar prioritetet e Ministrisë së Brendshme dhe Qeverisë kur vjen puna për t’ju shërbyer qytetarëve, për t’ju gjendur qytetarëve në ndihmë dhe për t’i garantuar publikut, qetësi, siguri dhe shërbim”, tha Tahiri.

Top Channel