Emigranti biznesmen: Samiti të mbahet periodikisht

22/11/2016 00:00

Samiti i Diasporës para së gjithësh ka shërbyer për të mbledhur në Shqipëri njerëz që duan të ndajnë eksperiencat e tyre jashtë dhe që i bashkon këtu dëshira për të kontribuar në zhvillimin e vendit të tyre.

Hajri Kaci, i lindur në Lurë, prej më shumë se 20 vitesh është vendosur në Torino dhe aty është sipërmarrës. “Më në fund u kthye koka nga diaspora dhe emigrantët”, thotë ai.

I ardhur nga një vend turistik, fokusi i tij është turizmi. Por që ta ndiejë veten të sigurt në investim ai shpjegon. “Investimi kryesor është turizmi. Duhet garantuar siguria sa i përket korrupsionit”, vijon ai.

Pritshmëritë e emigrantëve vijojnë të jenë këmbëngulëse, sidomos në të drejtën e votës. “Kjo është gjëja kryesore, në 2016-n akoma nuk kemi mundësi për të votuar”, u shpreh Kaci.

Përpos kësaj, edhe zhvillimi i traditës kulturore dhe pasqyrimi i saj në vendin ku emigrantët jetojnë sot është një tjetër dëshirë. “Ne duam të kthejnë kokën nga dhe të na japin rëndësinë e duhur, sa i përket edhe çështjes kulturore të mbrohen në vendet ku ne jetojmë”, thotë ai.

Hajri e viziton Shqipërinë shpesh, por me zë të lartë ai kërkon që takime në formën e këtij samiti të jetë në vazhdimësi. “Nëse kjo nuk bëhet traditë ne thjesht erdhëm, u takuam, bëmë një fasadë dhe u kthyem mbrapsht”, përfundon Kaci.

Top Channel