Pas zgjedhjeve, Kolonja i kthehet përditshmërisë

21/11/2016 00:00

Zgjedhjet e 20 nëntorit nuk ja kanë prishur aspak qetësinë Ersekës. Pas zhurmës së fundjavës, të hënën qytetarët i janë kthyer rutinës së tyre të përditshme. Dyert e bashkisë së Kolonjës janë hapur, si për të mirëpritur që sot kryetarin e ri.

Edhe në Kolonjë, ashtu si në Dibër, një doktor fiton zgjedhjet. Ilia Stefo, kirurgu i kolonjarëve dhe tashmë kryebashkiaku i tyre është emri më i lakuar në rrugë e në kafenetë e qytetit. Banorët flasin qetë, siç natyra e tyre i karakterizon, për atë çka mund të bëjë kryetari i ri për ta, ndërsa nuk ngurrojnë të vlerësojnë edhe shtrëngimin e duarve mes dy kandidatëve në fund të garës.

Tashmë shtabet elektorale të dy partive janë larguar, në muret e pallateve kanë mbetur të ngjitura ato pak postera me emrat e kandidatëve, ndërsa qyteti shijon qetësinë e të ftohtin e ashpër që e pret.

Ilia Stefo e shijoi fitoren për pak minuta deri në mëngjes dhe më pas zgjodhi të udhëtojë drejt Korçës me familjen, për t’u shpëtuar urimeve të shumta në rrugët e Ersekës.

E marta e rikthen sërish në Ersekë, këtë herë për të mirëpritur njeriun që i besoi, kryeministrin Edi Rama, në një miting falënderues.

Top Channel