“Top Story”: Kolonja, opozita dhe kanabisi

21/11/2016 00:00

Të dielën u mbyllën votimet për bashkinë e Kolonjës dhe kandidati i mazhorancës, ashtu siç edhe pritej fitoi, madje me një diferencë të shtuar pikësh ndaj rivalit të opozitës në krahasim me zgjedhjet e 2015-ës.

Top Story i kësaj të hëne analizoi këto zgjedhje, strukturën e shoqërisë atje dhe pretendimin e Partisë Demokratike nëse ndikoi hashashi tek rezultati i zgjedhjeve, apo mos vallë diçka çalon në ideologjinë dhe strukturën e opozitës?

Për këto dhe të tjera çështje diskutua të ftuarit e gazetarit Sokol Balla,  Preç Zoga, Mustafa Nano, Gjergj Bojaxhi, Skënder Minxhozi, Agron Gjekmarkaj, Arjan Vasjari dhe Eduart Zaloshnja.

Skënder Minxhozi tha se fitorja e së majtës ishte e parashikueshme, nisur nga historiku elektoral i zonës, por duke komentuar rënien e opozitës dhe duke sjellë edhe Dibrën në këtë kontekst, ai tha se rezultatet duhet të alarmojnë Partinë Demokratike në prag të zgjedhjeve të përgjithshme.

Edhe Preç Zogaj tha se më shumë sesa fitorja e kandidatit socialist, lajm përbën diferenca.

“Rritja me 700 vota është kryesorja dhe për këtë po feston edhe mazhoranca dhe vetë kryeministri sot. Pse mund të rritet qeveria? Çfarë ka ndodhur atje? Ka patur përmirësim, investime? Duhet parë se çfarë ka ndodhur atje pastaj të japim një mendim. Pas kësaj duhet parë edhe mënyra sesi është sjellë opozita”, tha Zogaj.

Gjergj Bojaxhi bëri një panoramë demografike dhe sociale të zonës së Kolonjës dhe rezultatin e zgjedhjeve e argumentoi me punësimet në administratë.
 
“Është një zonë nga më të varfërat në Shqipëri dhe e braktisur, ku brezi i ri është zhdukur. Është një zonë ku nuk ka asnjë biznes, bujqësia dhe blegtoria janë në nivele mbijetese, zonë ku çdo premtim që një kryetar bashkie jep atje, ja jep me lekët e qytetarëve të tjerë dhe jo të Kolonjës. Është një segment i ngurtësuar shoqërie. Qeveria është në pushtet dhe fenomeni i punëmarrjes e ka ndryshuar në mënyrë totale gjeografinë zgjedhore në Shqipëri. Pushteti absolut influencon në këto zgjedhje”, tha ai.

Arjan Vasjari ndau një tjetër mendim. Ai problemin e sheh brenda vetë opozitës.

“Opozita nuk ka humbur në raport me mazhorancën, por ka humbur në raport me opozitën e vitit 2015. Opozita sot nuk bind, nuk krijon, nuk frymëzon, nuk krijon empati. Opozita ka ide, problemi qëndron tek instrumentat e saj. Opozita e 2016 është një opozitë që punon me instrumenta të opozitës së vitit 2000, 2001, 2002 me instrumenta që Berisha në vitin 2004 i braktisi. Ka një paqartësi identitare tek kjo opozitë”, tha ai duke shtuar se vendosja e një kandidati të PAA-së ishte si një nevojë që Partia Demokratike të mos humbte vetë drejtpërdrejtë në zgjedhje.

Në një zonë të njohur si të majtë, Mustafa Nano vlerësoi dy lëvizje, sipas tij, inteligjente të opozitës. Megjithatë, edhe Nano foli për një problem të opozitës.

“E para nuk kandidoi vetë dhe e dyta nuk e përgatiti opinionin publik për një test ndaj mazhorancës, siç ishte në Dibër. Ka një problem të madh me opozitën dhe nuk flitet as brenda saj. Zërat brenda janë pajtuar me këtë situatë dhe është një komunitet politik i ngrirë’, deklaroi ai.

Agron Gjekmarkaj njohu një gabim të Partisë Demokratike në këto zgjedhje.

“Partia Demokratike duhej të kandidonte me kandidatin e vet atje dhe të mos ja linte aleatëve. Duhej ta bënte këtë në një betejë parimesh dhe të kënaqte mbështetësit e vet, sado të paktë qofshin atje”, tha ai.

Por a ndikoi kanabisi në rezultatin e Kolonjës?

Arjan Vasjari thotë se jo.

“Është e palogjikshme të thuash që ka ndikuar, sepse i bie që me këtë diferencë, të majtët merren me kanabis dhe të djathtët nuk merren me kanabis”, u shpreh ai.

Gjekmarkaj foli për një ndikim, por jo aq sa të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve.

“Kanabisi në rastin e Kolonjës ka një ndikim modest, jo sa në Dibër, por ka një ndikim”, u shpreh ai.

Edhe Gjergj Bojaxhi e përjashtoi këtë mundësi. Ai vlerësoi se hashashi është një problem politik kombëtar, që nuk mund t’i faturohet një partie të vetme.
 
“Nuk mendoj që hashashi është çështje partiake, është çështje politike dhe reflekton varfërinë e shqiptarëve dhe dobësinë e shtetit shqiptar. Në këto kushte, nuk mendoj që hashashi reflekton votën aty, por dëshpërimin që ne reflektojmë si shoqëri dhe aq më tepër që shumica e punëtorëve të hashashit nuk janë nga zona ku mbyllet hashashi”, deklaroi ai.

Preç Zogaj foli për një ndikim të madh të kanabisit.

“Përpos parave që derdhen nëpër zgjedhje, punëtorët janë të shtrënguar dhe votojnë atë që u thotë ai padroni i drogës dhe ai thotë që duhet të votojnë Qeverinë”, u shpreh ai.

Mustafa Nano pranon që droga është një fenomen i përhapur gjerësisht, por shprehet skeptik për rolin e këtij aktiviteti në zgjedhje.

“Që droga deri dje dhe sot është industria më e madhe në vend unë jam i bindur, por lidhur me efektin elektoral, por këtë nuk mund ta mësojmë kurrë sepse nuk kemi të dhëna”, u shpreh ai.

Top Channel organizoi përmes faqes së internetit një sondazh ku janë pyetur lexuesit nëse “zgjedhjet, droga, dekriminalizimi janë 3 problemet më alarmante të vendit, siç edhe thotë Partia Demokratike? Kur kanë votuar mbi 6600 persona, 38 përqind e janë përgjigjur me “Po” dhe 62 përqind me “Jo”.

Pikërisht kësaj pyetjeje u dhanë përgjigjie pjesën e tretë edhe të ftuarit në Top Story.

Arjan Vasjari thotë se janë probleme alarmante, por përtej tyre ai sheh një tjetër, akoma më të madh.

“Por përtej këtyre problemeve alarmant është edhe opozita. I qëndroj kësaj. PD ka probleme të mëdha të identitetit, funksionimit dhe instrumentave të saj. Dyshoj fort që në 2017 PD do të jetë e aftë për të mposhtur të majtën. Do të kemi një përballje mes një treni, PD me aleatët e saj dhe një treni tjetër, PS me aleatët e saj”, deklaroi ai.

Vasjari përjashton nga dy trenat LSI-në.

“LSI ka nevojë të kthehet në një parti normale, ndoshta opozitare dhe pozicionohet si opozitë dhe të vendosë nga opozita ta mbështesë ose jo Qeverinë pa qenë direkt në pushtet. Nuk e shoh pjesë të Qeverisë LSI-në pas zgjedhjeve të 2017”, deklaroi Vasjari.

Gjekmarkaj mendon të kundërtën.

“Lulzim Basha e ka krijuar një fizionomi si lider i PD, e dëshmoi edhe në këtë studio. E vetmja gjë që nuk duhet të bëjë është se nuk duhet të promovojë kartat humbëse, ata që kanë konsumuar imazhin e tyre. Ka nevojë për fytyra të reja, të shoqërisë civile dhe të afirmuara”, deklaroi ai.

Skënder Minxhozi u pajtua me mendimin e Arjan Vasjarit. Ai tha se opozita është vetë problemi, ndërsa Preç Zogaj e kundërshtoi.

“Problemi është Qeveria, kudo, por sidomos në Shqipëri. Unë mendoj se zgjedhjet, droga dhe dekriminalizimi janë probleme madhore të Shqipërisë. Në Kolonjë, PD ka çfarë të mësojë, marrë dhe reflektojë dhe është emergjente kjo. Nuk i mohoj problemet e opozitës. Problemi i madh është qeveria dhe problemi i dytë është opozita. Basha duhet të përputhë idetë dhe aksionet politike. Është momenti që të përputhë idetë me veprimet”, tha Zogaj.

Gjergj Bojaxhi, si një ndër themeluesit e Sfidës për Shqipërinë, duke iu referuar dy trenave politikë që përmendi Arjan Vasjari dha daljes në opozitë të LSI-së, dha një rrugë të tretë/
 
“Si Qeveria ashtu edhe opozita, janë problemet e vendit. Janë dy trena që po bëjnë garë se kush ta çojë më parë vendin drejt greminës dhe problemi është se duhet t’i ndalim këta dy trena”, tha ai.

Edhe Mustafa Nano tha se vendi ka nevojë për një forcë politike anti-establishment, megjithëse u shpreh skeptikë për suksesin e saj.

Top Channel