Të fitosh gjyqet e të mos ua shohësh “hajrin”

21/11/2016 00:00

Situata e Pëllumb Cuadarës nga fshati Dushk i bashkisë Ballsh është sa e thjeshtë dhe e vështirë në të njëjtën kohë. Në tokën e trashëguar nga stërgjyshi i tij, të rifituar me vendim gjykate të formës së prerë, nuk mund ta mbjellë dot. Sipërfaqja e tokës është e zënë me ullinj.

Para pesë vitesh një komshi i tij, zoti Bujar Hoxha i merr një pjesë të tokës, një sipërfaqe prej 6 400 metra katror. I gjendur në këto rrethana zotit Pëllumb i drejtohet gjykatës. Pas kryerjes së të gjithave shkallëve të gjyqësorit , Cuadaraj arrin të fitojë të drejtën për t’ju kthyer toka e zaptuar pa të drejtë nga fqinji i tij. Por e gjithë situata bëhet kaotike kur çështja ishte në gjykim, pasi fqinji Bujar Hoxha në tokën në fjalë mbjell ullinj, ku sipas Bujarit ullinjtë tani janë të moshës 4-5 vjeçare.

Në vendimin e formës së prerë te gjykatës thuhet se debitori duhet të lirojë dhe t’i kthejë tokën të zotit. Në bazë të këtij vendimi urdhërohet një përmbarues shtetëror për të kryer ekzekutimin. Në tentativën e parë për të kryer zbatimin e vendimit të gjykatës në terren shkojnë 60 forca policie dhe përmbaruesi. Përmbaruesit kishin kërkuar se për të ekzekutuar një vendim të tillë do ju duhej mbështetja e policisë. Në këtë tentativë u kryen vetëm përcaktimi i kufijve.

Ullinjtë janë akoma në këtë sipërfaqe toke. Zoti Pëllumb këtë kërkon që t’i lirohet toka nga rrënjët e ullinjve. Këtu nis dhe problemi i tij i madh pasi asnjë institucion nuk merr përsipër të zbatohet vendimi i gjykatës. Në bazë të dokumentacionit që disponon zoti Pëllumb përmbaruesit janë paraqitur plotë tre herë dhe përveç vendosjes së kufijve nuk kanë marrë asnjë masë tjetër.

Kështu që gazetarët e Fiksit i drejtohen zyrës përmbarimore Fier. Përmbaruesi shtetëror Pëllumb Isufaj u shpreh se nuk mund të shkulte ullinjtë, pasi i duhen forca mbështetës, pra policinë , për të kryer ekzekutimin.

“Kam qenë tre herë për zbatimin e vendimit. Toka në hipotekë është e regjistruar si tokë arë dhe jo ullishte , ndaj përsa i përket ligjit nuk ka pengesë për lirimin e tokës” pohon ai. Nëse përmbaruesit nuk kanë mbështetjen e duhur atëherë gazetarët iu drejtuan policisë së Fierit për të konfirmuar pohimin e përmbaruesit Isufaj. Në Drejtorin e Qarkut të policisë së Fierit gazetarët e Fiks Fare takuan vetë kreun e kësaj drejtorie , zotin Neritan Nallbani.

“Nuk është detyrë e policisë së shtetit që të merret me shkuljen e ullinjve. Ne mendojmë që qytetari duhet të marrë edhe një urdhër shtesë nga gjykata , ku kjo e fundit të shprehet qartë që duhet të hiqen pemët e ullirit”, shpjegon kryepolici i Fierit.

Ai thotë se kanë qenë të pranishëm sa herë që u është kërkuar ndihmë nga përmbaruesit për të qenë prezent forca policia gjatë ekzekutimit. Por zoti Nallbani nuk harron të citojë edhe një ligj atë 7929, ku në bazë të të cilit mbrohen pemët frutore, ku ulliri shpallet pasuri kombëtare dhe mbrohen me ligj nga shteti.

Top Channel