Kolonja në hartën e hashashit

21/11/2016 00:00

Në hartën e kultivimit të kanabisit për vitin 2016 nuk ka mbetur jashtë as Kolonja. Madje në një rast të vetëm policia ka arritur të zbulojë 17 mijë rrënjë dhe në këtë sipërmarrje, ka një përfshirje direkte të një punonjësi policie.

Oficeri Edvin Meko garantonte sigurinë e parcelave në zonat malore, ku sipas hetimeve të afërm të tij, por edhe persona të tjerë kishin kultivuar sasi të konsiderueshme hashashi.

Në operacionin sekret të zhvilluar në muajin gusht pjesë e hetimeve ishte edhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, ndërsa forcat e policisë që shkatërruan parcelat u nisën nga Tirana për shkak të frikës së dekonspirimit të operacionit.

Policia arrestoi 2 persona të tjerë, ndërsa oficeri Meko vijon të jetë në kërkim. Po ashtu në Kolonjë janë shënuar edhe raste të tjera të kultivimit të kanabisit në fshatin Piskal dhe ‘Arat e Mullirit’ ku janë asgjësuar mbi 2 mijë rrënjë. Po ashtu në një tjetër episod në fshatin Gostivisht policia asgjësoi në korrik 11 mijë e 500 rrënjë kanabis si dhe vuri në pranga 4 kultivuesit.

Top Channel