Gara në Kolonjë, Duka: E pabarabartë!

21/11/2016 00:00

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste ka reaguar pas zgjedhjeve të Kolonjës, ku vlerëson kandidatët për qytetarinë e treguar në fund të garës me anë të shtrëngimit të duarve dhe flet për një “pjesëmarrje të jashtëzakonshme të administratës zgjedhore”.

“Ky proces zgjedhor, pavarësisht faktit se kishim të bënim me një zonë historikisht ultra të majtë, u karakterizua nga një politizim dhe pjesëmarrje të jashtëzakonshme të administratës shtetërore në procesin zgjedhor, në kundërshtim me ligjin. Më konkretisht, i gjithe stafi i zëvendëskryeministrit, me atë ne krye u ul këmbëkryq në Kolonjë për më shum? se një muaj, duke braktisur punët dhe zyrat për të cilat paguhen nga tatimpaguesit, pa futur këtu armatën e drejtorave, nëpunësve etj. Ministrat me në krye, ministrin e Brendshëm u zhvendosën në këtë zonë të varfër të Jug-lindjes bastion i PS, thuaj se Kolonja ishte përplasja Klinton-Trump dhe si për t’i vënë qershinë mbi tortë, vetë Kryeministri la të gjitha hallet e popullit të Shqipërisë për të ardhur në Kolonjë ku tha; “t’i japim fund 25 vjet keqqeverisje”, megjithëse në 3-vjeçarin e fundit ka qënë vetë ai në krye te shtetit”, thuhet në deklaratën e Agron Dukës.

Pavarësisht gjithë këtyre, thotë Duka, kandidati i PAA-së mori 40 për qind votë popullore. Sipas Dukës, PAA nuk doli krejtësisht e humbur nga ky proces.
 
“Në fund të këtij procesi zgjedhor PAA humbi përballë një partie shumë më të madhe se ajo, por arriti të krijojë struktura të qëndrueshme në këtë zone, të cilat do të shërbejnë për beteja të suksesshme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, thuhet në reagim.

Top Channel