Trump do shkojë në Britani, vizita pritet ne fillim të 2017-s

21/11/2016 00:00

Një javë pas deklaratës se nëna e tij është një fanse e madhe e Mbretëreshës Elizabeth, qeveria britanike po merr në konsideratë ftesën drejtuar presidentit të sapo zgjedhur Donald Trump për një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe.

Më herët këtë vit, deputetët debatuan në Parlament idenë e ndalimit të miliarderit nga hyrja në Angli nxitur nga retorika e tij të ashpër ndaj myslimanëve.

Trump është etiketuar si “demagog”, apo si “klloun” nga kolegët britanikë. Por tani, zëdhënësja e  qeverisë britanike, në emër të Theresa May-t, shprehu rëndësinë  e ruajtjes  së “marrëdhënieve speciale” mes dy vendeve.

Kjo vizitë është planifikuar për t’u realizuar në fillim të vitit 2017. Ajo nis me një ceremoni të veçantë ku prezente është Mbretëresha dhe anëtarë të tjerë të lartë të Familjes Mbretërore, ndërsa më tej zhvillohet një banket special në nder të të ftuarit.

Aleati kryesor i Donald Trump në Britani është Nigel Farage, udhëheqësi i fushatës pro Brexit. Trump i është referuar shpesh herë Brexit gjatë gjithë fushatës, duke e marre si shembullin që demonstroi dëshirën për ndryshim nga politika e mërzitshme. Ndaj shumë britanikë mendojnë se manjati i pasurive është më i hapur ndaj Brexit sesa presidenti aktual Barack Obama.

Top Channel