Mbrojtja nga përmbytjet, BE investoi 6 mln euro

21/11/2016 00:00

Reshjet e dendura të shiut në janar të vitit 2015 i shtrinë përmbytjet edhe në jug-perëndim të vendit. Përmbytje që ndikuan sidomos përgjatë rrjedhës së Vjosës, Drinit, Osumit dhe Gjanicës.

Bashkimi Europian investoi 6 milion euro për rehabilitimin e 16 objekteve të infrastrukturës mbrojtëse.

“Komponenti i infrastrukturës është njëri nga ata, por ka edhe disa komponente të tjera që kanë të bëjnë me rritjen e ndërgjegjësimit mbi faktin që ndryshimet klimatike po ndodhin”, thotë Nora Kushti, menaxhere e PR, PNUD.

Ndërhyrja konsiston në ndërtimin e 16 kilometrave argjinaturë lumore, kanale për ujitje dhe tharje si edhe rehabilitimin e stacionit të pompave në hidrovorin e Akërnisë. Efektet e këtij investimi duket se kanë qenë të menjëhershme

Në zonat e përmbytura janë shpëtuar toka të tëra bujqësore, gjedhë, ndërsa shitësit e shumicës në tregun ushqimor pranë lumit Drino, në fshatin Valare të Gjirokastrës kanë shpëtuar produktet e tyre, që më herët përktheheshin në dëme të mëdha.

“Para dy vitesh është bërë investimi këtu dhe asnjëherë nuk është bërë përmbytja”, thotë tregtarët.

Situata e rëndë e përmbytjeve ka ndryshuar edhe në Novoselë, ku ishin përmbytur 6 mijë e 800 ha tokë bujqësore, ndërsa rrezikohej edhe argjinatura e Gjolit të Nartës

Edhe përfaqësuesi i Shërbimeve në Njësinë Administrative Novoselë thotë se ky është një projekt që ofron siguri.

“Me këtë investim është krijuar një situatë stabël”, thotë Minella Hysa, Njësia Administrative Novoselë.

Top Channel